Fushata presidenciale amerikane ka hyrë në një fazë interesante ku të dy kandidatët kryesorë për postin më të fuqishëm në botë, rrezikojnë gjithashtu që të përfundojnë në burg.
FBI mori dje në pyetje kanadidaten demokrate Hillary Clinton lidhur me hetimin që po i bën mënyrës së përdorimit të postës elektronike qeveritare gjatë kohës që ishte Sekretare e Shtetit.
Është dëshmi e fuqisë së pushtetit gjyqësor në SHBA, që një nga njerëzit më të fuqishëm të vendit, që nesër mund të jetë presidente vendoset nën hetim dhe mund të përballet me akuza federale.
Kritikët nga ana tjetër nuk janë të kënaqur. E shohin këtë si një dobësim të pushtetit gjyqësor dhe thonë se po të kishte qenë më pak e fuqishme tani do të kishte përfunduar në burg.
Për ata që nuk e dinë, fjala bëhet për vendimin e Hillary Clinton që si Sekretare Shteti të përdorte një server privat të instaluar në shtëpinë e saj, për të marrë dhe dërguar emaila. Ajo gjithashtu nuk ndau adresën që përdorte për punë qeveritare me adresën për lidhjet private.
Tani, sipas ligjit në SHBA, çdo email e mesazh që dërgon kur je në pozitë të lartë qeveritare është pronë e shtetit dhe e publikut. Nuk mund të mbash më private korrespondencën.
Për më tepër, ky lloj sistemimi i shkëmbimeve elektronike i ka bërë më të rrezikuara karshi vjedhjeve prej piratëve kompjuterikë. Disa ekspertë besojnë tani se inteligjenca kineze dhe ruse kanë përgjuar dhe lexuar gjithshka ka dërguar dhe marrë Clinton kur ka qenë në krye të Departamentit të Shtetit.
Mes tyre ka pasur edhe dokumente sekrete që nuk duheshin zbuluar. Sipas ligjit në SHBA, përfundon në burg edhe kur zbulon pa dashje dokumente të klaifikuara te njerëz që nuk kanë autorizim për t’i parë dhe lexuar.
Nuk e ka ndihmuar çështjen e zonjës Clinton as dyshimi që ekziston mbi një lloj bashkëpunimi të pamoralshëm mes Departamentit të Shtetit dhe Fondacionit Clinton që drejtohet nga bashkëshorti i saj, ish-Presidenti Bill Clinton. Sipas dyshimeve, donatorët e huaj të fondacionit përfitonin në marrëdhëniet diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
Sipa disa kritikëve republikanë kjo është një sjellje tipike e çiftit Clinton që i trajton zyrat e shtetit si pronë private për përfitim personal.
Hillary Clinton i ka hedhur poshtë akuzat se ka shkelur ndonjëherë ligjin. Ajo e pranon që ka gabuar për mënyrën e përdorimit të postës elektronike dhe se duhej të kishte vepruar ndryshe. Por, ish-Sekretarja e Shtetit këmbëngul se nuk ka përcjellë asnjëherë ndonjë dokument të klasifikuar si sekret te njerëz që nuk kanë qenë të autorizuar për t’i lexuar.
Mbështetësit e zonjës Clinton e shohin atë si një viktimë të përpjekjeve republikane për ta ndaluar garën e saj presidenciale por edhe si viktimë të një periudhe tranzitore, kur rregullat e komunikimit në qeveri ishin vjetëruar papritmas për shkak se ishin shkruar në kohën e telefonit dhe fakseve, ndërsa sot celularët, e-mailat, mesazhet kanë shndërruar mënyrën sesi punojmë.
Një hetim i brendshëm i kryer nga Departamenti i Shtetit ka nxjerrë në pah se të gjithë Sekretarët e Shtetit kanë përdorur adresat private të e-mailit për komunikimi zyrtare, duke filluar nga Gjenerali Colin Poëell, te Condi Rice.
Mirëpo, asnjë prej këtyre nuk ka bërë lëvizjen e paparë të instalimit të një server privat që për kundërshtarët politikë të zonjës Clinton nuk ka qenë gjë tjetër përveçse përpjekje për të fshehur veprimtarinë e saj nga shteti.
Tekniku i kompjuterave dhe rrjeteve që ka bërë instalimin dhe është kujdesur për të nga ana teknike ka kërkuar imunitet përndryshe nuk do të tregonte asgjë duke përdorur amendamentin e 5-të të Kushtetutës amerikane që mbron qytetarët nga inkriminimi i vetes.
Marrja në pyetje nga FBI zgjati tre orë e gjysëm. Përgjigjet e Hillary Clinton do të krahasohen me rezultatet nga hetimi për të vendosur në fund nëse do të përballet me akuza federale për shkelje të ligjit.
Hillary Clinton dhe fushata e saj janë kujdesur që të nënvizojnë se paraqitja te FBI ishte një gjest vullnetar nga ish-Sekretarja e Shtetit. Si të thuash nuk shkuan për ta marrë në pyetje por u paraqit vetë nga dëshira që të sqarohet kjo çështje.
Media shkruan se ka pasur një proces jo të lehtë mbrapa perdeve për caktimin e datës. Fushata e saj ka arritur me sukses që marrja në pyetje të bëhej pasi kishin mbaruar votimet në shtete ndonëse nuk arritën dot që ta linin pas Konventës së Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, kanë arritur me sukses që ta linin në fundjavën e pushimit për 4 Korrikun ku njerëzit festojnë dhe janë më pak të interesuar për lajmet në media. Këto mund të jenë edhe spekulime të medias. Madje disa dyshojnë se Clinton e donte marrjen në pyetje përpara Konventës dhe jo pas, që ta mbyllë verën me një notë pozitive.
Demokratët që mbështesin Hillary Clinton janë të bindur se ajo do të dalë e pafajshme dhe se çështja ëshë bërë kaq publike vetëm për shkak të fushatës zgjedhore.
Zakonisht intervista me të hetuarin kryhet kur hetimi është afër fundit. Disa analistë mendojnë se FBI do të japë një përgjigje brenda ditëve të ardhshme, jo më shumë se dy javë pas bisedës me Hillary Clinton. Disa ekspertët ligjorë që kanë komentuar kanë shprehur bindjen se nuk do të ketë asnjë padi, ndonëse mund të ketë një vërejtje zyrtare nga Departamenti i Shtetit.
Në kuptimin e fushatës për presidente, lajmi që nuk do të ketë padi do të jetë pozitiv vetëm deri në një farë pike. Hetimi e ka bërë tashmë dëmin. Shumica e amerikanëve mendojnë se Hillary Clinton nuk është për t’u besuar dhe se nuk ka qenë e hapur sa duhet për hetimin mbi postën elektronike.
E vetmja arsye se pse ajo ka gjithësesi shanse që të fitojë zgjedhjet presidenciale është se rivali i saj, në krahun repblikan, është Donald Trump, që ka gjithashtu përqindje besimi shumë të ulët.
Kur mësoi se Hillary Clinton mund të mos paditet, ai shkroi se sistemi është i manipuluar. Në fakt, është tipike që për sistemin ankohet dikush që është bërë miliardier prej tij dhe jo ata që kanë humbur.Po Trump nuk duhet të nxitohet. Ai është aktualisht i paditur në gjyq për shkelje të ligjit dhe shfrytëzim të paligjshëm të studentëve të “Universitetit Trump”. Ai ka një histori të gjatë të problemesh të tlla në bizneset e tij që do të vijojnë të dalin në pah, tani që po kërkon të marrë në dorë zyrën më të lartë të vendit.
Po Donald Trump nuk është i vetmi që dyshon që Hillary Clinton po favorizohet nga qeveria. Shumë amerikanë mendojnë se ka një konflikt interesi mes hetimit dhe mbështetjes që gëzon ajo prej Presidentit Barack Obama, në këtë çështje si dhe në garën presidenciale.
Më keq akoma, një takim mes ish-Presidentit Bill Clinton dhe Prokurores së Përgjithshme të Amerikës, Loretta Lynch, në një aeroport, ka lëshuar hijen e një skandali të ri.
Të dy ata kanë deklaruar që takimi ishte një rastësi dhe nuk ishte më shumë se një shkëmbim përshëndetjesh dhe interesim për familjet përkatëse, po Trump dhe republikanët dyshojnë se ka qenë shumë më tepër. Takimi është kritikuar rëndë edhe nga media kryesore amerikane.
Prokurorja e Përgjithshme u detyrua të dalë në një konferencë për median, ku deklaroi se takimishte një rastësi dhe se nuk do të ndikojë në çështjen e zonjës Clinton. Lynch tha se çfarëdo që të vendosë FBI ajo do ta pranojë. Nëse FBI kërkon ngritje padie, ajo do ta bëjë.
“Nuk u fol aspak për këtë punë gjatë pak minutave të takimit me Presidentin Clinton”, tha ajo, por e pranoi që kishte gabuar që kishte ndaluar për të folur me të dhe nëse do të kishte mundësinë për t’u kthyer pas në kohë, nuk do ta kishte bërë.
I fundit, që nuk duhet harruar, në këtë histori, është Bernie Sanders. Mendohet se e vetmja arsye se pse ai nuk ikën nga gara ndonëse është e qartë se e ka humbur, është mendimi se Hillary Clinton mund të paditet pak përpara Konventës duke e çakërdisur fushatën e saj dhe duke i dhënë një shans të fundit senatorit që t’u thotë Demokratëve që le të mos rrezikojmë me dikë që rrezikon burgun.
Po nuk ka garanci se padia do të fundosë fushatën e Hillary Clinton. Nëse ka diçka që ka karakterizuar çiftin Clinton është aftësia për t’u rikthyer kur janë shpallur të mundur.
Ruben Avxhiu- Illyriapress