E kërkojnë Aston Villa dhe Everton, por klubi nga Liverpooli ka bërë hapin e parë duke këmbëngulur për portierin e Kombëtares Shqiptare, Etrit Berisha. Në “Goodison Park”, portieri i lindur në Prishtinë ka një mbështetës të madh, ai është trajneri holandez Ronald Koeman, i cili ka kërkuar nga klubi që të bëjë maksimumin për të zhvendosur në ishull numrin 1 të skuadrës kuqezi. Pengesë kryesore mbetet klubi i Lazios, me të cilin Berisha ka një kontratë deri në vitin 2017. Është trajneri Marcelo Bielsa ai që do të thotë fjalën e fundit, por gardiani shqiptar kërkon një fanellë titullari dhe kjo mund ta shtyjë drejt Premier League për të mbrojtur katërkëndëshin e një prej ekipeve më legjendare të Anglisë.
Portali “Express.co.uk” zbulon se holandezi i Everton që mori detyrën vetëm pak muaj më parë, synon qe Berisha të afrohet te “Toffees” pasi e shikon atë titullar përpara Maarten Stekelenburg. Gjithsesi, fjalën e fundit do ta thotë vetë 27-vjeçari shqiptar, i cili kërkon garanci për një vend titullari dhe nëse në Romë Bielsa nuk ia siguron një gjë të tillë, atëherë e ardhmja e tij mund të jetë në ishull për një kapitull të ri në karrierën e tij.
SS/d.i.