Me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, Gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për tre mjekë të Spitalit Pediatrik të Elbasanit, të dyshuar për veprën penale të ‘mjekimit të pakujdesshëm”, me pasojë vdekjen e fëmijës 1-vjeçar A.T., ngjarje e ndodhur në 21.03.2016.
Prokuroria e Elbasanit ka ngritur grupin hetimor menjëherë pas marrjes së njoftimit. Në kuadër të veprimeve hetimore, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertizes mjeko-ligjore, në bazë të së cilës rezultoi se e mitura ka humbur jetën për shkak të pakujdesisë së mjekëve, të cilët nuk kanë kryer procedurën standarte të mjekimit, në bazë të së cilës mund të ishte shpëtuar jeta e femijës.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore, e mitura ka humbur jetën për shkak te bllokimit të rrugeve të frymëmarrjes nga një copë arre, te cilën e kishte kapërcyer fëmija 1-vjeçare.
Ky fakt nuk është kuptuar nga mjekët pediatër. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, mjekët e Spitalit Pediatrik Elbasan, nëse do të kishin ndjekur protokollet standarte, duhet të kishin pasur mundësinë që të konstatonin shqetësimin shëndetësor të fëmijes dhe jeta e saj mund të ishte shpëtuar me anën e ndërhyrjes së nevojshme kirurgjikale.
Në baze të rezultateve të ekspertizës, Prokuroria e Elbasanit ka krijuar dyshimet e arsyeshme se tre mjekë të Spitalit Pediatrik kanë konsumuar elementët e veprës penale te “Mjekimit të pakujdesshëm”.
Per kete arsye, Prokuroria kerkoi “pezullimin nga detyra”, e cila u pranua nga gjykata e ketij qyteti, per mjeket:
1.Doreida Shuku,
2. Edmont Laho,
3. Fadil Brazhda.