Erion Veliaj, kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Michael Muller, nga i cili ka marrë edhe mbështetjen për të nisur një bashkëpunim të ngushtë menjëherë pas zgjedhjeve të 21 qershorit.
“Ky takim ishte një mundësi tepër e veçantë, sidomos për të marrë eksperiencën e nevojshme nga modeli gjerman, sidomos në çështjet e menaxhimit urban dhe të infrastrukturës. “Gjermania ka qenë një partner kryesor gjatë kohës që kemi punuar në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në çështjet e arsimit profesional, zyrat e punës, reformës së pensioneve etj. Më vjen mirë që do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim me Gjermaninë, edhe në Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj pas takimit me kryebashkiakun Muller.
Bashkia e Berlinit është sot një nga bashkitë më të suksesshme në Europë, një bashki që ka një efiçencë maksimale në investime dhe zhvillimin urban, por edhe në mënyrën se si u integruan pjesë të Berlinit, të Berlinit lindor dhe perëndimor.
“Disa nga këto sfida janë shumë të ngjashme me Shqipërinë, ndaj mezi pres që pas zgjedhjeve të 21 qershorit të kemi një mundësi fantastike për të bashkëpunuar me Berlinin, ashtu siç kemi bashkëpunuar me qeverinë gjermane për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve tanë dhe për të mësuar nga më të mirët në çështjet e menaxhimit urban dhe të infrastrukturës”, u shprej Veliaj.
Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premton se do të vazhdojë bashkëpunimin e tij me Gjermaninë edhe në Bashkinë e Tiranës, ashtu siç veproi në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, por kësaj here në nivel bashkie me kryebashkiakun e Berlinit