Lindsay Lohan është në proces të shkrimit të një libri. Aktorja e Mean Girls, e cila i mbush 30 vjet të shtunën, ka vendosur tani se është koha t’i shkruajë memoaret e saj meqë ka arritur në një pikë në jetën e saj ku ndihet e rehatshme në ndarjen e aspekteve rreth jetës së saj personale shpesh të trazuar.
Edhe pse detajet rreth librit janë të pakta, Lindsay ka thënë për Vanity Fair se puna do të përfshijë historitë në lidhje me përvojat e saj si dhe ofrimin e këshillave “se si të kapërcehen pengesat”.
Ajo nuk e ka specifikuar nëse do të jetë fiktiv apo jo, por ka thënë: “Shpresoj se fjalët e mia do të lidhen me ata që kanë nevojë për udhëzime kur apo nëse janë në një pozitë të vështirë. Jam mirënjohëse që kam zë, të cilin tani ndjehem rehat që mund ta përdor si një platformë për t’u treguar njerëzve se të gjithë ne kemi ulje dhe ngritje në jetë, dhe të gjithë ne mund të dalim nga uljet në qoftë se vendosim kontakt me veten tonë të brendshme dhe anën tonë shpirtërore.”
Thashethemet se Lindsay është duke e shkruar një libër qarkullojnë për disa vjet. Në vitin 2014, kolumnja e thashethemeve e New York Post, Page Six, njoftoi se ajo e kishte nënshkruar një marrëveshje 1 milion dollarëshe për t’i publikuar memoaret e saj. Megjithatë, vitin vijues ata pohuan se Lindsay e hodhi poshtë një marrëveshje për t’i shkruar memoaret e saj dhe se ajo ishte duke punuar në një “libër edukativ për stil dhe modë”.
Lindsay ka pasur vështirësi në gjetjen e roleve gjatë viteve të fundit, pasi që karriera e saj u fut në telashe mes akuzave për alkoolizëm dhe abuzim të drogës, si dhe një vale të dënimeve për ngasje të automobilit nën ndikim të substancave dhe shkelje të lirimit të saj me kusht, dhe një mase rehabilitimi.
Jeta e saj profesionale mori një goditje derisa ishte duke e filmuar biografinë televizive Liz & Dick në vitin 2012, kur ajo u përfshi në një aksident trafiku, duke përjetuar lëndime të lehta të cilat e shkaktuan një vonesë në produksion, transmeton Koha.net.
Por prej se u zhvendos në Londër dhe që kur u takua me të fejuarin e saj Egor Tarabasov, Lindsay duket se e ka kthyer fatin e saj. Në intervistë, bukuroshja flokëkuqe tha se tani është në “një gjendje të mrekullueshme në jetë dhe se e mirëpret të ardhmen e afërt dhe të largët”.
Ajo shton se përveç shkrimit, ajo gjithashtu ka në plan të xhirojë më shumë filma, ta themelojë një organizatë bamirëse dhe të punojë me fëmijët, dhe ndoshta të ketë edhe fëmijë të vetët së shpejti – pasi t’i ketë xhiruar disa filma”, përgatiti Koha. (b.an)