Menjëherë pas deklaratës së kreut të PD Lulzim Basha që kërkon hetim për një foto të kryetarit të PS njëherësh kryeministër Edi Rama të dalë me presidentin amerikan Obama, ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe që e cilëson Bashën një njeri të pafytyrë, shpifës dhe që ka mbi kurriz një akuzë zyrtare dhe ligjore por që asnjëherë nuk është gjykuar.
“Para tre vitesh nuk e mendoja këtë ditë: Të dalë Lulzim Basha dhe të kërkojë hetim për një çështje banale fotografie, duke shpifur natyrisht. Si ka mundësi?
E kam thënë e stërthënë: Lulzim Basha është i vetmi politikan në këtë vend që ka një akuzë të ngritur ligjërisht, jo nga Edi Rama, por nga Prokuroria e Republikës.
Ajo akuzë nuk është gjykuar kurrë!! Për shkak afatesh të pretenduara nga Lulzim Basha, të mbështetura nga një gjykatëse në prehrin e së cilës Lulzim Basha bën sikur qan një herë në vit, por dhe nga një grup gjykatësish në Gjykatën e Lartë, të kundërshtuar nga një grup tjetër gjykatësisht po aty: Lulzim Basha me atë akuzë nuk është gjykuar deri më tani.
Por Lulzim Basha, politikani më i pafytyrë në këtë vend-domethënë politikani që as skuqet as zverdhet, as ndjen turp e as ndjen faj, ka kurajon që të shpifë, sulmojë, akuzojë, kërcënojë. Kulmi!”, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook.