Nuk do të jetë më e nevojshme që qytetarët në prag pensioni t’i drejtohen gjykatës për njohjen e viteve të punës para ’94-s. Kjo gjë, veç mundit, kishte edhe kosto, pasi në jo pak raste pensionistët nuk përfitonin atë që u takonte dhe procesi zvarritej në kohë.
Për zgjidhjen e kësaj problematike ka kaluar në mbledhjen e fundit të Qeverisë vendimi “Për disa çështje të dokumentimit të periudhave të sigurimit dhe të vjetërsisë në punë për efekt pensioni”.
VENDIMI
Një ditë pas miratimit, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, nga ambientet e Kryeministrisë ka bërë me dije efektet pozitive të kësaj nisme ligjore, prej së cilës përfitojnë kryesisht të gjithë ata që kanë punuar në ishndërmarrjet shtetërore dhe punonjësit e kooperativave bujqësore.
“Vendimi lidhet me njohjen e viteve të punës, dokumentacioni për të cilat, për arsye nga më të ndryshmet, nuk ka qenë i rregullt, i detajuar, i përcaktuar, apo në shumë raste të tjera, jo për faj të qytetarëve shqiptarë, vitet e tyre të kontributeve shoqërore janë plotësuar me laps dhe, në rastin më të keq, nuk janë të dokumentuara. Për këtë shkak, mijëra qytetarë shqiptarë janë rropatur dyerve të gjykatave për vite të tëra, për të marrë të drejtën e tyre, atë që u ka takuar me të drejtën e ligjit. Mijëra prej tyre, për shkak të zvarritjes me vite të proceseve gjyqësore, kanë humbur vite të tëra të përfitimit të pensionit dhe ende nuk e kanë marrë këtë të drejtë”, tha Klosi.
Me ligjin e Sigurimeve Shoqërore, të gjitha periudhat e punës së para 1 janarit 1994 njihen për efekt të llogaritjes së pensionit kundrejt dokumentacionit, libreza pune, regjistra etj., kur këto janë të rregullta, të padëmtuara, të plotësuara sipas përcaktimeve të ligjeve të kohës. Por, ndër vite ka ndodhur që shumë prej këtyre dokumenteve janë dëmtuar, janë djegur, janë bërë të palexueshme etj.
Në këto kushte, ISSH nuk mund t’i njihte këto periudha, duke i orientuar qytetarët drejt gjykatës. Me ndryshimet e miratuara, rasti i vetëm kur qytetarët mund t’i drejtohen organit gjyqësor është vetëm atëherë kur dokumentet janë djegur ose janë bërë të papërdorshme për shkak të kushteve të papërshtatshme të ruajtjes.
KOMPENSIMI I DRITAVE
Edhe pensionistët në fshat do të kenë mundësi të përfitojnë nga skema e kompensimit të dritave. Qeveria ka miratuar vendimin për zgjerimin e kategorive përfituese. Kështu, veç pensionistëve në qytet, edhe pensionistët në zonat rurale do të kenë mundësi që të përfitojnë 648 lekë në muaj, si rrjedhojë e heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 KWH.
Kusht i vetëm është që në përbërje të familjes të mos ketë anëtarë të tjerë. Ndërkohë, pjesë e skemës së rimbursimit janë bërë edhe ata që nuk kanë derdhur asnjë vit kontribute, por që pas datës 1 janar 2015 u është lidhur pension social në vlerën 6750 lekë në muaj.
“Kategoritë që përfitojnë janë të moshuarit që janë pensionistë e banojnë në fshat; në zona të cilat konsiderohen ende si zona rurale, por në fakt e kanë humbur kuptimin pasi janë kthyer në qendra të banuara dhe ku familja nuk ka as tokë dhe as ndonjë mundësi tjetër për të zhvilluar prodhimin bujqësor”, theksoi Klosi.
Në sajë të këtij vendimi, pritet që kompensimin ta përfitojnë rishtazi mbi 5 mijë pensionistë të tjerë, që deri më sot kanë qenë të përjashtuar, duke e çuar në rreth 208 mijë numrin e familjeve përfituese. Aktualisht, në skemën e kompensimit të energjisë elektrike janë 6 kategori sociale. Përveç pensionistëve, janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, ata që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, familjet e punonjësve buxhetorë me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, të verbrit, si edhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë.
Në vendimin e ri të Qeverisë është përcaktuar po ashtu se nuk do të përfitohet kompensimi nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit. Ky përjashtim bëhet edhe në rastet kur përmbushen të gjitha kriteret.
VENDIMI I QEVERISE
Kategoritë që përfshihen rishtazi në skemën e rimbursimit të energjisë elektrike:
• Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, pension pleqërie fshati, ose pension social, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. „
• Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët.
• Në rastet kur në të njëjtën familje ka dy pensionistë të vetëm dhe kontrata është në emër të pensionistit jokryefamiljar, kompensimin e përfiton pensionisti në emër të të cilit është kontrata e energjisë elektrike.
• Në rastet kur, si e ardhur e vetme e familjes është pensioni familjar dhe kontrata është në emër të kryefamiljarit pasjetues, të fëmijëve ose në emër të kryefamiljarit të vdekur, kompensimi u akordohet personave përfitues të pensionit familjar./Panorama/a.k