Pak kush e di që Forcat e Armatosura Shqiptare janë prezent në Republikën e Malit në Afrikë. I kthyer nga misioni disa ditë me parë, major Vladimir Pica, ekspert për asgjësimin e municioneve dhe eksplozivëve, apo siç njihet ndryshe EOD, tregon eksperiencën e tij.
Majori thotë se për 7 muaj grupi i tij, me dy efektivë të tjerë nga batalioni i xhenios, ishte pjesëmarrës në misionin trajnues të Bashkimit Europian në kontinentin afrikan. Qëllimi i misionit ishte asgjësimi i municioneve dhe eksploziveve në zonë, por edhe trajnimi i ushtrisë së Malit, jo vetëm në bazën e Koulikoros. Ekspertët e xhenios udhëtojnë deri në 300 kilometra larg bazës ku janë vendosur për të trajnuar instruktorët e rinj malezë.
“Kemi kryer detyra trajnuese, sidomos në trajnimin e grupeve EOD të Malit në mënyrë që ata të ngrinë kapacitetet e tyre.”- deklaroi Major Vladimir Pica, EOD.
Temperaturat e larta deri në 57 gradë Celsius është shqetësimi i fundit që majori mendon kur flet për rrezikshmërinë dhe vështirësitë e misionit të parë shqiptar në Mali. Komandanti thotë se ushtarakët shqiptarë janë përditë objektive potenciale e nga rebelët vendas tuareg, apo nga grupet radikale islamike.
“Vështirësitë më të larta përveç temperaturave 57 gradë që duhet të përballonim çdo ditë në terren, ishte qëndrimi larg familjes. Puna jonë, pra të jesh efektivë instruktor EOD është puna më e vështirë në botë, na rrezikohet jeta çdo herë që jemi afër municioneve shpërthyese. Jemi edhe objekt potencial për sulm nga grupe terroriste. Ruhemi nga personat që vendosin mina dhe objekte shpërthyese. Ka rebel tuareg apo grupe islamike.”- deklaroi majori Pica.
Misioni trajnues i Bashkimit Europian ku marrin pjesë 26 vende në total nuk është mision luftarak po ka si ka qëllim të risjellë sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Mali. Ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin ne rajon, në gjithë Afrikën dhe Europën. Aktualisht në Mali një grup i dytë me 3 ushtarakë nga Komanda Mbështetëse vijojnë misionin e tyre.
News24/d.i.