Zyra e shtypit e Kryeministrit, Edi Rama, ka reaguar pas akuzave të bëra nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, mbi atë që kreu i PD-së e cilëson si skandal faktin që Rama ka paguar 80 mijë dollar për një foto me Presidentin, Obama. Por kreu i qeverisë e ka cilësuar si manipulimin mediatik dhe pjesë e propagandës së baltës lidhur me një foto të vitit 2012 me Presidentin Obama.
“Kryeministri Edi Rama, sqaron se ai as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara. Bilal Shehu që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin tonë në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri rishtazi I ka bërë thirrje kreut të PD-së Basha që të fokusohet tek reforma në drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, ta tregojë duke mbështetur projektin kushtetues te Reformës në Drejtësi qe është hartuar me kontributin e çmuar të Shteteve te Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
“Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, nuk ka frikë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të drejtësisë, nuk ka frikë nga pavarësia e anëtareve që do të bëjnë vetingun e gjykatësve e prokuroreve, po Lulëzim Basha me Sali Berishën pse i tremben faktit që ata që do te gjykojnë prokuroret dhe gjykatësit, do te përzgjidhen nga SHBA e BE?! Është koha e të vërtetës për krimet, akuzat, gënjeshtrat dhe të vërteten mund ta thotë vetëm një drejtësi e çliruar nga kthetrat e vendeve të rezervuara të partive në sistem. Edi Rama dhe shumica janë gati te heqin duart e partive nga sistemi, po Lulëzimi, Saliu dhe Partia Demokratike pse nuk janë gati?!”, përfundon reagimi I kryeministrisë.
(javanews.al) Me. Ar