Detaje të reja janë zbardhur sot, një ditë pas grabitjes spektakolare të një dite më parë në aeroportin e Rinasit, ku mësohet se autorët e dyshuar të grabitjes kanë hyrë qetësisht në pistën ku ka qenë automjeti ku ndodheshin para, pasi kanë qenë të veshur me jelekë fosforeshent me logo të kompanisë e cila ka për detyrë ruajtjen e aeroportit. Zyrtarisht janë vjedhur 995 mijë euro.
Porta tjetër, sipas ekspertëve ka pasur nivel më të lartë sigurie sesa porta ku u fut dje, e cila shërben edhe për furnizimin me karburant të avionëve apo futjen e bagazheve të udhëtarëve.Ka pasur një urdhër të shefit të komisariatit që e detyronte kontrollin e kësaj porte me punonjës policie dhe në çdo rast kjo portë duhej të hapej vetëm në prani të forcave të policisë me procesverbal.
Nga ana tjetër, policia mësohet se ka deklaruar se, janë vjedhur 2 thasë me para nga 4 që kanë qenë në automjetin e blinduar. Destinacioni i parave dyshohet se ka qenë Vjena dhe Italia.
Sipas burimeve pranë dikasterit blu për ‘Shqiptarja.com’, dyshohet se grabitësit kanë pasur bashkëpunëtorë brenda policisë private, ndërkohë që këta të fundit nuk kanë kontrolluar zonën përreth, veprim që duhet të bëhet në çdo rast.
Të njëjtat burime shtojnë se, rojet e sigurisë kanë qenë duke qëndruar jashtë automjetit të blinduar në momentin e grabitjes, ndërkohë që kanë qenë vetëm 3 persona, kur në fakt duhet të ishin 7, për të siguruar ruajtjen e parave që po transferoheshin.
Policia po mban të shoqëruar policët e kompanisë private si dhe disa punonjës të bankës private, ku përmes tyre pritet që të zbardhet shuma e vlerës së parave të vjedhura.
Sipas policisë, kamerat kanë kapur momentin kur janë duke lëvizur automjetet, por ata janë vështirësisht të identifikueshëm.
Sakaq, policia ka shoqëruar 36 persona në Krujë dhe Durrës, të cilët po pyeten rreth ngjarjes, pasi dyshohet se kanë lidhje me grabitjen.
Një ditë më parë, në vetëm 7 minuta, nga një prej portave hyrëse e aeroportit “Nënë Tereza” 3 grabitës të armatosur kanë arritur të marrin mbi 995 mijë euro dhe të largohen pa u pikasur nga forcat e sigurisë së kompanisë private ICTS.
Policia e shtetit nisi një operacion masiv por nuk ka arritur në gjurmët e autorëve të cilët pas grabitjes kanë djegur dhe automjetin. Kjo ngjarje ndodhi mesditën e kësaj të enjte rreth orës 14:45 minuta, vetëm 24 orë pasi aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas shtoi masat e sigurisë pas shpërthimeve terroriste në aeroportin “Ataturk” të Stambollit në Turqi, që i morën jetën 42 personave.
(java / r.a)