Gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo, tashmë i pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ka dërguar 170 mesazhe gruas, e cila e denoncoi për ngacmim seksual. Në një periudhë prej 3 muajsh, që nga seanca e parë e gjyqit ndaj gruas 32-vjeçare në Gjykatën e Beratit, Prokuroria ka thënë se Shyqyri Çobo e ka ngacmuar me anë të mbi 300 telefonatave dhe 170 mesazheve të shkruara.
Disa prej telefonatave janë regjistruar nga 32- vjeçarja, e cila ua dorëzoi ato hetuesve në momentin që bëri denoncimin. Ndërsa mesazhet janë gjetur të gjitha në telefonin e saj, që është këqyrur nga hetuesit e Krimeve të Rënda. Bashkë me zbardhjen e mesazheve të dërguara në adresë të 32- vjeçares, hetuesit kanë konfirmuar edhe numrin dërgues të teksteve. Ky numër, sipas Prokurorisë, është regjistruar dhe në përdorim të gjyqtarit Shyqyri Çobo, të pezulluar tashmë nga detyra me akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarit…” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.
Mesazhet e reja
Në mesazhet e reja të dërguara nga gjyqtari në telefonin e 32-vjeçares, të cilat publikohen sot nga “Panorama”, bie në sy përpjekja e Shyqyri Çobos për të qenë në kontakt me gruan që po ngacmonte. Po kështu, vihet re se gjyqtari i bën me dije kallëzueses se “ende s’jam investuar në dobinë tuaj”, duke i lënë të kuptohet se ende nuk ka vendosur ta ndihmojë me gjyqin që Irma T., 32 vjeçe, kishte si e paditur nga ish-burri i saj.
Në mesazhet që publikohen sot sqarohet edhe një moment i shpjeguar në kallëzimin dhe dëshminë e gruas që denoncoi gjyqtarin. Fillimisht, pasi ajo i kishte dhënë numrin e telefonit gjyqtarit pas kërkesës së këtij të fundit me argumentin se do t’i gjende avokat, Irma T. kishte konstatuar “afrimitetin që po i jepte gjyqtari”. Për këtë fakt, ajo ka pyetur babain e saj në lidhje me gjyqtarin Shyqyri Çobo.
Babai i ka thënë se e njihte gjyqtarin. Denoncuesja ka menduar se Shyqyri Çobo po ia dërgonte mesazhet në fjalë në shenjë respekti apo afrimiteti me babain e saj, por në një SMS, pasi 32-vjeçarja e ka pyetur gjyqtarin tashmë të pezulluar, ai përgjigjet: “Shtetas të quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë -Jo, nuk mendoj se e njoh”. Në mesazhet e tjera gjyqtari, sipas Prokurorisë, bën ngacmime ndaj 32- vjeçares, herë duke iu referuar filozofisë, shprehjeve të ndryshme popullore, apo edhe fesë./Panorama/a.m.