Operatorët turistikë vendas kanë bërë ofertimet e tyre, por paketat shqiptare shpesh nuk i plotësojnë ato që thonë. Ndërkohë vendi, megjithë mrekullinë e natyrës dhe cilësive humane, përballë shumë probleme, mes tyre veçohen transporti i brendshëm dhe cilësia e mangët e shërbimeve. Afërdita Elezi, drejtuese e Albanian Tourism, shpjegon risitë dhe problematikën, lidhur me imazhin turistik të vendit…Nga Ben Andoni
Shqipëria shikohet në mënyrë shumë ekzotike dhe ky vështrim nuk po i hiqet dhe sot e kësaj dite. Gjithsesi ky lloj vështrimi po kap kopertinat e mediave prestigjioze dhe është një ndihmë e pakursyer për Shqipërinë, e cila nuk po shfrytëzohet si duhet prej strukturave të turizmit, përveç politikës, që e kërkon dhe e ruan si aset të vetin.
Por, përveç mrekullisë që paraqet një situatë e tillë prezantimi, nga ana tjetër ajo sjell shumë vështirësi pasi na shkëput prej realitetit. Për fat, operatorët shqiptarë turistikë kanë rritur ndjeshëm numrin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë, sipas Afërdita Elezit, që është drejtuese e Albanian Tourism. Paketat e tyre, tashmë nuk fokusohen vetëm në vizita modeste në site apo objekte të njohura, por ka zgjerim të tyre që përfshijnë: Ture, destinacione të reja, dhe shumë shërbime të tjera brenda paketave që shesin, duke i bërë ato më alternative dhe atraktive për grupet e huaja. Por, të mos largohemi shumë pasi akomodimi mbetet shumë problem kurse cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar. “Ndoshta mungesa e eksperiencës, apo edhe e shkollave që përgatisin stafe, dhe mungesa e agjencive të ndërmjetme, mes shkollave që përgatisin stafe, agjencive që i trajnojnë, dhe strukturave të shërbimit etj., përbën handikapin”, shprehet Elezi.
Dhe, një nga shqetësimet më të mëdha mbetet pa asnjë dyshim transporti ose infrastruktura ku veçojmë se punohet mu në sezon, kurse mjetet e transportit janë në gjendjen më të keqe. “Një problem është mungesa e infrastrukturës për të lëvizur nga një qytet në një tjetër (apo brenda qyteteve). (Këtu jemi shumë keq). Të gjitha linjat lëvizëse të autobuzëve-mikrobuzëve etj., janë në nivele shumë te ulëta qoftë shërbimi qoftë si pajisje ( të vjetra me kushte shumë të ulëta higjenike, disa mund t`i konsideroj, jashtë çdo lloj standardi për të udhëtuar etj.)”, shprehet Elezi.
Në fakt deklarata e pak ditëve më parë ka treguar se Shqipëria është një vend me shumë problematika, kurse vendet fqinje janë shumë e shumë më përpara në një varg çështjesh që neve nuk i zgjidhim dot….
Ka një fushatë të madhe pozitive të Shqipërisë nga media e huaj, por sa i përgjigjet ajo kushteve që ofrojnë operatorët turistikë lokalë dhe qendrorë?
“Nëse flasim për operatorë turistikë vendas, nënkuptojmë Agjencitë e Udhëtimeve Turistike dhe Shërbimet Turistike. Agjencitë private, që shesin dhe paketat vendase janë në nivelet më të mira që ne kemi pasur deri më sot. Për faktin se kanë rritur ndjeshëm numrin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë. Paketat e tyre, tashmë nuk fokusohen vetëm në vizita modeste në site apo objekte të njohura, por kemi zgjerim të tyre që përfshijnë: Ture, destinacione të reja, dhe shumë shërbime të tjera brenda paketave që shesin, duke i bërë ato më alternative dhe atraktive për grupet e huaja.
Përfshirja në paketat e agjencive e mjaft zonave të reja, p.sh. Rruga Egnatia, është një prej Itinerareve më të bukura e përfshirë së fundmi në turet e agjencive shqiptare, duke pasur parasysh dhe rëndësinë dhe emrin e saj që në lashtësi.
Të tjera agjenci të krijuara së fundmi (të fokusuara në turizmin e aventurës), që ofrojnë tashmë të gjitha llojet e sporteve dhe aktiviteteve në natyrë, me të gjitha pajisjet dhe kapacitet e nevojshme për çdo aktivitet në terren.
Shërbimet ku bëjnë pjesë strukturat e akomodimit, restorantet etj: Nuk mund të themi që janë në nivelet më të mira të standardeve të kërkuara. Ne kemi struktura akomodimi shumë më moderne (edhe pse me kapacitete të vogla, se mjaft prej vendeve fqinjë që konsiderohen edhe konkurentët tanë – për produktin turistik), por që cilësia e shërbimit, ka nevojë akoma për përmirësim. Ndoshta mungesa e eksperiencës, apo edhe e shkollave që përgatisin stafe, dhe mungesa e agjencive të ndërmjetme, mes shkollave që përgatisin stafe, agjencive që i trajnojnë, dhe strukturave të shërbimit etj., përbën handikapin.
(Shkollat – Agjencitë e Ndërmjetme që i trajnojnë këto – për t`i përgatitur për strukturat e shërbimit). Këtu tek ne agjencitë e trajnimit të stafeve, me sa di unë nuk ekzistojnë fare. Ka disa shkolla, por që nga shkollat direkt në strukturat e shërbimit nuk janë të gatshëm, ky është një prej motiveve që kemi dhe cilësi të ulët shërbimi, ka shumë natyrisht)
E re për këtë sezon në këtë fushë, janë një rrjet hotelesh dhe restorantesh të ngritura në Sarandë, Berat, një rrjet Bujtinash në Korçë, etj. Në Sarandë janë një rrjet restorantesh kryesisht me kuzhinë mesdhetare, (3 prej tyre, mund t`i konsideroj më te mirët ne vend, të hapur dy vitet e fundit dhe këto). Të 3 me eksperiencë me shumë se 15 vjeçare jashtë, që kanë investuar së fundmi këtu.
Dhe ajo që mund të them me bindje, nga udhëtimet pa fund në terren, dhe kontaktet me çdo zonë turistike, është mungesa e infrastrukturës për të lëvizur nga një qytet në një tjetër (apo brenda qyteteve). (Këtu jemi shumë keq). Të gjitha linjat lëvizëse të autobuzeve-mikrobuzëve etj., janë në nivele shumë te ulëta qoftë shërbimi qoftë si pajisje ( të vjetra me kushte shumë të ulëta higjenike, disa mund t`i konsideroj, jashtë çdo lloj standardi për të udhëtuar etj).
Turistët e huaj nuk lëvizin përmes ajrit në Shqipëri, ato lëvizin me këto mjete të kategorisë shumë të ulët, ose marrin makina me qira (jo shpesh). Shumë rrallë ndodh që vijnë me makinat e tyre, ose kur janë të shoqëruar me agjenci shqiptare. (Mjafton një rrugë shumë e shkurtër, nga Saranda në Butrint, për të parë standardin real – dikush edhe mund ta provojë këtë gjë)”.
Në konceptin tuaj, a ka konfuzuar disi përgjegjësitë për përgatitjen e sezonit, ndarja e re territoriale?
“Jemi shpejt për të thënë nëse reforma e re territoriale, ndikoi për mirë apo për keq, në përgatitjen e këtij sezoni. Gjithsesi koha nga Janari deri në fillimin e sezonit, ishte pak e shkurtër për përgatitjen e këtij sezoni.
Me sa di unë, reforma territoriale nuk u shoqërua edhe me aktet e tjerë nënligjore, ku do të ishin përcaktuar kompetencat për administrimin e territorit, duke sjellë konfuzion midis agjencive qendrore dhe vendore”.
Ju përgatisni dhe një periodik, ku promovoni Shqipërinë e bukur. A ka diferencë reale me atë që në realitet Ju, vetë shikoni në vend. A duhet të ishte Shqipëria më përpara në përgatitjet e saj?
“Ne prezantojmë në produktet që përgatisim (që janë disa produkte), atë pjesë që mendojmë se është më tërheqëse për vizitorët, natyrisht duke u nisur vit pas viti dhe nga trendet e udhëtimeve kudo nëpër Botë. Është pikërisht kjo gjë, që bëjnë edhe revistat e produktet e huaja të kësaj natyre kudo.
Produktet e reja që ne kemi realizuar, sjellin ide dhe koncepte të reja për të organizuar udhëtimet kudo nëpër Shqipëri, duke dalë nga standardi i thjeshtë prezantimit të disa vendeve me data dhe foto. Pra i gjithë materiali tani vjen në formën e rekomandimit: me pak fjalë është rekomandim dhe orientim, jo thjeshtë prezantim (pra është një ndihmë e madhe, qoftë për turistët individual, qoftë për agjencitë e udhëtimit, shqiptare apo të huaja, sepse mënyra e re e prezantimit të informacionit në produktet e reja, i ndihmon për të organizuar turet brenda Shqipërisë)”.
Jeni e kënaqur?
“Unë mendoj se ne ofrojmë shumë më shumë, nga çfarë prezantojmë deri më sot. Mjafton të marrësh një informacion, për listën e qyteteve antike Ilire, apo objekte dhe monumente të tjera të kësaj periudhe, kishat e periudhës bizantine etj., (E kush agjenci e huaj nuk do ta përfshinte Shqipërinë në turet e saj, nëse ne vërtetë do të dimë të prezantojmë pasuritë dhe sitet që ne kemi, duke i ndërthurur ato edhe me aventurën dhe kuzhinën e produktet bio të rritura në kushte natyrale (që kjo pjesa është harruar fare), natyrisht duke promovuar paralelisht me resurset, edhe sigurinë në vend (edhe kjo një pjesë shumë e rëndësishme për turistët e huaj, duke pasur parasysh, reklamën e keqe që na bëhet në këtë drejtim)”./java/a.k