Fati i gjyqtares së Gjykatës së Lezhës, Parashqevi Ademi, e cila u arrestua dje për marrjen e 2 milionë lekëve për favorizimin e një çështje, duket se “do të mbetet peng” e axhendës së Presidentit Bujar Nishani.
Në fakt, bëhet fjalë për mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë e cila është parashikuar për këtë të shtunë, dhe që në rend dite ka fatin e gjyqtares së Lezhës.
Duke qenë se prangosja e saj u krye në kushtet e flagrancës për veprën penale të korrupsionit pasiv, sipas legjislacionit është e domosdoshme që KLD të lëshojë autorizimin për masën gjyqësore ndaj saj brenda afatit të 72 orëve nga arrestimi.
Por, nga ana tjetër, duke qenë se kërkesa për të siguruar një autorizim të Këshillit është dorëzuar paraditen e kësaj të premteje nga prokuroria, institucioni i drejtuar nga kreu i shtetit e ka patur të pamundur të mblidhet në kushtet e urgjencës, siç edhe u mblodh për gjyqtarin e Sarandës, pasi Nishani nuk ndodhet në Shqipëri, por në Gjermani.
Për këtë arsye, mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është njoftuar të mbahet të shtunën në një orarar të papërcaktuar, në varësi të kohës kur presidenti do të kthehet në atdhe.
Ndërkohë, prokuroria ka afat që të sigurojë këtë autorizim deri mesditën e së dielës, në të kundërt gjyqtarja Ademi do të lirohet.