Bizneset që do të paraqesin projekte studimi, promovimi dhe edukimi apo modele inovative të produkteve turistike, do të mund të përfitojnë deri në 50 për qind të shumës së projektit nga qeveria.
Në udhëzimin e nxjerrë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes thuhet se fondi i vënë në dispozicion për të gjithë ata që do të aplikojnë dhe do të rezultojnë fitues në atë çka kanë paraqitur është në total 21 milionë lekë.
Ministria përcakton dhe afatet në të cilat do të duhet të paraqiten këto projekte që është deri në datë 20 korrik të këtij viti kurse zbatimi duhet të nisë jo para datës 1 shtator dhe të mbyllet në 31 dhjetor 2016.
Por i njëjti udhëzim saktëson se në disa raste mund të tejkalohet financimi 50 për qind për
projektin por vendimi i takon Këshillit të Ministrave.
“Për realizimin e projekteve fituese, skema e financimit do të mbuloje deri në 50% të kostove të pranuara e të miratuara nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Projektet për të cilat do të kërkohet një financim që kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Fondi në dispozicion për këtë thirrje për projekt-propozim është 21.000.000 lekë.
Financimi nga Buxheti i shtetit nuk mund të jepet më tepër se një herë në vit për të njëjtin subjekt konkurues”, thuhet në udhëzimin e ministrisë së ZHETTS-së.
Personat fizikë dhe juridikë që do të aplikojnë do të duhet të përmbushin një seri kriteresh për të kaluar me sukses fazën e vlerësimit. Afati i vlerësimit nuk do të zgjasë më shumë se 30 ditë./a.k