Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka deklaruar se, nëse konstatohen tregje informale që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë ushqimore në territorin e bashkive, do t’u vënë gjoba kryebashkiakëve.
Ministri Panariti gjatë një vizite në Mamurras të Lacit, tha se bashkitë duhet të dërgojnë urgjentisht në këshillin bashkiak kërkesën për krijimin e një tregu të përshtatshëm, larg banesave, rrugëve dhe pluhurit.
“I kemi vënë gjoba bashkive, tani do t’i vëmë gjoba kryetarëve të bashkisë personalisht, që ose duhet ta mbyllin atë treg që është jashtë standardeve, ose pastaj të përballen me sanksione, deri në masa ekstreme. Për këtë ne nuk kemi pse te bëjmë kompromis. Unë mendoj se nuk ka asnjë lloj problemi që ai treg që është jashtë standardeve të mbyllet dhe në bashkëpunim me sipërmarrësit e tregut të bihet dakord për një vend tjetër të përshtatshëm”, theksoi Panariti.
Tregtarët ambulante janë kthyer në një problem shqetësues në shumë qytete të vendit, pasi operojnë nëpër rruge, duke tregtuar produkte ushqimore jashtë çdo standardi. Rreziku i sëmundjeve nga konsumimi i tyre është edhe me i larte në këtë periudhe vere, teksa temperaturat janë gjithnjë e në rritje./a.k