Shqipëria ka mundësi reale të jetë pjesë e finaleve të Euro 2016 në Francë. Këtë e konfirmoi edhe trajneri i kombëtares franceze, Didier Deschamps.
Tekniku i “Gjelave” tha në konferencën për shtyp, 24 orë para ndeshjes në “Elbasan Arena” me kuqezinjtë, se Shqipëria ka një skuadër të fortë, kompetitive dhe me mundësi reale për të siguruar kualifikimin direkt në europian.
Deschamps tha se në këtë përfundim, ka dalë pas ndeshjes së parë të luajtur mes dy skuadrave, por edhe prej paraqitjes së kuqezinjve në ndeshjen me Portugalinë dhe miqësoren e Italisë.
“Shqipëria ka të gjitha munëdsitë që të kualifikohet dhe është mirë me pikë. Është një skuadër kompetitive dhe këtë e kam parë ndeshjen që zhvilloi me Italinë dhe Portugalinë. Unë e shoh kualifikimin si të mundshëm”, tha ai.
Miqësorja Shqipëri-Francë luhet të shtunën në orën 18:00 në “Elbasan Arena”. Francezët vijnë në këtë ndeshje pas humbjes 4-3 në një tjetër miqësore, atë me Belgjikën.