Iu kanë vrarë tre pjesëtarë të familjes së vet, plagosur një. Është vetë dëshmitare okulare në njërën prej dy vrasjeve të bujshme që datojnë vitet e ferrit për këtë vend, ndërsa në ngjarjen tjetër ka qenë dëshmitar, po okular, i biri. Ky i fundit ka qenë vetëm 13 vjeç, kur në sytë e tij iu kanë vrarë xhaxhai dhe djali i hallës, ndërsa gruaja ka qenë dëshmitare në vrasjen e burrit të saj dhe plagosjen e kunatit tjetër. Ngjarjet kanë në mes rreth një vit e gjysmë, ndërsa historia horror që vjen nga Balldreni i Lezhës dhe nga sistemi jonë i drejtësisë ka 19 vite që luan me fatet e një fisi viktimash, me të vrarë, të gjymtuar, dënuar, braktisur dhe nëpërkëmbur si rrallë në ndonjë histori tjetër.
Kjo grua, që quhet Lenë Lekstakaj, ka kërkuar mbrojtje nga shteti për djalin e saj të vetëm, të vetmen shpresë të jetës së vet, që nëse ulesh dhe flet më të, të duket se ka një jetë që vetëm sistemon fate fatale. Lena, është një emër i njohur për Prokurorinë dhe Gjykatën e Lezhës, (edhe për Policinë, po kjo e fundit, për shkak se ndryshohet kaq shpesh edhe mund ta anashkalojnë një emër që mbart kaq shumë fakte) ndërsa ka qenë edhe në gjyqet që iu kanë bërë burrit të saj të vrarë dhe të masakruar që gruaja thotë: Ia bashkova pjesët e kokës nëpër arë! Ajo e ka pa vrasësin. Ajo e njeh vrasësin.
Janë fqinjë dhe kanë lidhje prej një jete dy fiset bashkë, ndërsa gruaja në vendimin e gjykatës për ngjarjen ku iu kanë vrarë burri, Gjovalin Lekstakaj dhe iu ka plagosur kunati, Pjetër Lekstakaj, del si bashkëfajtore. Madje akuzohet edhe si poseduese armësh për atë ngjarje, ndërsa autori ka qenë duke parë perëndimin e diellit!!!
Kërkesa për mbrojtje
“Shekulli” nisi botimin e një cikli korrespondencash mes institucioneve tona dhe dëshmitarit okular të vrasjes së Gëzim Lekstakajt dhe Laurent Gjetjas (i biri i Ndoc Gjetjas) që kur ra në gjurmët e tyre. Në fakt, që nga Kryeministria, Ministria e Brendshme dhe deri te Prokurori i Përgjithshëm janë marrë me kërkesën e familjes Lekstakaj në lidhje me mbylljen e hetimeve për dy vrasjet me tri viktima dhe një të plagosur në radhët e familjes së tyre. Edhe Avokati i Popullit, Policia dhe Prokuroria e Lezhës u angazhuan për këtë ngjarje, pasi Klodian Lekstakaj nga Anglia i kërkon shtetit dhe drejtësisë shqiptare të dërgojnë para gjykatës autorët e vrasjes së njerëzve të tyre.
Klodiani, tashmë 32 vjeç, ka kërkuar statusin e dëshmitarit për të ridëshmuar në lidhje me atë ekzekutim në arë të xhaxhait të tij, Gëzimit, dhe të djalit të hallës, Laurenit. Janë dy përgjigje të dala nga ana e Kryeministrisë që lidhen me vënien në dijeni të autoriteteve përgjegjëse për të rihapur hetimet për vrasjet, pasi në të gjithë dokumentacionin që gjendet në polici, prokurori dhe gjykatë, nuk figuron që vrasjet të kenë autorë. Klodiani ka dëshmuar atëherë dhe ka dhënë edhe emrat e dy autorëve të vrasjes, por në të gjitha përgjigjet zyrtare që ka kthyer prokuroria e Lezhës, që nga shtatori i një viti më parë e deri tani, në lidhje me këtë dëshmi, saktësohet se: “Në dëshminë e të miturit, Klodian Lekstakaj, nuk ekziston asnjë fakt apo provë që shërben për nisjen e hetimeve”.
Tashmë Klodiani kërkon pikërisht të dëshmojë edhe njëherë para prokurorisë në lidhje me atë ngjarje, pasi djali, në cilësinë e dëshmitarit të vrasjes së dy njerëzve të tij pretendon se iu ka zhdukur dëshmia. Madje, asnjë autoritet i prokurorisë dhe policisë në Lezhë nuk dërgon tek organet kompetente dëshminë që ka dhënë Klodiani atëherë. Djali nga Anglia i kërkoi kryeministrit të vendit, Edi Rama që t`i sigurohej një mbrojtje se donte të dëshmonte para drejtësisë sonë për dy vrasësit e familjes së tij, ku nga e njëjta familje është edhe vrasësi i babait të tij, sipas tij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kryeministria kërkoi menjëherë të verifikohet rasti dhe të merren masa për të çuar autorët e asaj vrasjeje para drejtësisë, ndërsa “Shekulli” duke e ndjekur këtë ngjarje prej rreth 10 muajsh, është njohur me përgjigjen zyrtare që prokuroria nis pikërisht për statusin e mbrojtjes për Klodianin, i cili shkurt; nuk e fiton!
Argumentimi i prokurorisë
“Tiranë , më 01.06.2016/Lënda: Kthim përgjigje. Drejtuar: Shtetases Lena Lekstakaj.
E nderuar Znj. Lekstakaj:
Pasi u njohëm me kërkesën tuaj, drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, nëpërmjet së cilës kërkoni marrjen ë masave të posaçme të mbrojtjes ndaj djalit tuaj, Klodian Lekstakaj, si dëshmitar i ngjarjeve të vitit 1997 e në vijim, ku janë vrarë të afërmit tuaj ju bëjmë me dije se: Ashtu sikurse kemi sqaruar dhe djalin tuaj, në bazë të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtoreve të drejtësisë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, organi i prokurorisë investohet për marrjen e masave mbrojtëse dhe futjen në programin e mbrojtjes të personave që ndjehen të kërcënuar, vetëm për rastet kur plotësohen kushtet dhe kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në këtë ligj.
Ligji i sipërpërmendur rregullon marrjen në mbrojte të personave që janë dëshmitar apo bashkëpunëtor të drejtësisë në një procedim penal të filluar nga prokuroria dhe përcakton kushtet e kriteret që duhet të plotësojë personi që kërkon të futet në programin e mbrojtjes. Në bazë të ligjit të sipërcituar dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të ligjit, për futjen e një dëshmitari në programin e mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm vihet në lëvizje nga prokurori që ka ndjekur apo ndjek çështjen dhe drejtuesi i prokurorisë ku është regjistruar procedimi penal. Janë këta të fundit, që kur çmojnë se situata e rrezikut është aktuale, konkrete dhe serioze, i përcjell aktet Prokurorit të Përgjithshëm, duke i kërkuar që të propozojë pranimin në programin e mbrojtjes së dëshmitarit. Në zbatim të këtyre akteve ligjore, kërkesa juaj ju përcoll për vlerësim Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, e cila ka hetuar ngjarjen për të cilat bëni fjalë në kërkesën tuaj.
Propozimi
Nga verifikimet e kryera nga kjo prokurori dhe nga ana jonë rezulton se në rastin konkret nuk ndodhemi para rasteve të parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, pasi në hetimin e procedimit penal nr.150 të vitit 1997 së Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, i cili ka të bëjë me vrasjen e shtetasve Gëzim Ded Lekstakaj e Loren Ndoc Gjetja, ku djali juaj është pyetur si person që tregon rrethana të hetimit, nuk ka deklaruar ndonjë të dhënë që përbën provë vendimtare për zbulimin dhe dënimin e autorëve të kësaj ngjarje, në kuptim të ligjit të sipërpërmendur.
Në mungesë të kushteve të parashikuar në ligj, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të propozojë pranimin e djalit tuaj në programin e mbrojtjes. Ju sqarojë se në qoftë se dispononi të dhëna apo prova të reja që hedhin dritë dhe shërbejnë për të provuar akuzat tuaja ndaj autorëve të vrasjeve së të afërmeve tuaj, mund t`i paraqisni ato në çdo kohë pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Lezhë, drejtuesi i së cilës u porosit nga ana jonë që bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë, të marrin të gjitha masat për sigurinë tuaj në rast se do të ktheheni në Shqipëri për të dhënë dëshmi.
Gjithashtu, në kushtet kur ndaj jush nuk mund të aplikohen masat e posaçme të mbrojtjes të parashikuara nga ligji “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve së drejtësisë”, në vlerësim të shqetësimit të paraqitur prej jush, ju sugjerojmë t`i drejtoheni Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë të Qarkut Lezhë, duke kërkuar prej tyre që në zbatim të detyrave kushtetuese për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe në përputhje me detyrimet që parashikon ligji “Për Policinë e Shtetit”, të marrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës tuaj dhe pjesëtarëve të familjes tuaj.
Adnan Xholi, Drejtor”
Nikoleta Kovaçi
ma.me