Ministri Klosi në një deklaratë për mediat ka bërë me dije një vendim të qeverisë e cila u njeh vitet e punës para janarit 1994 të gjithë personave që rezultojnë me dokumentacion të rregullt. Klosi tha se kjo zgjidh problemin e qytetarëve që i drejtoheshin deri më sot Gjykatave pasi nuk i njiheshin.
“Ky ligj zgjidh problemin madhor të viteve pa kontribute, njohje të viteve të punës, të cilat nuk kanë qënë të rregullta dhe të detajuara apo aspak për faj të qytetarëve por për shkak të parregullsisë së administratës publike që nuk i kanë dokumentuar. Ka pasur mijëra ankesa që nuk kanë marrë pension në bazë të viteve të punës, për të marrë të drejtën e tyre qytetarët janë rropatur gjykatave, kanë humbur vite të tëra përfitimi dhe nuk e kanë marrë ende të drejtën. Vendimi i miratuar dje në zbatim të nenit 91 të ligjit për sigurimet shoqërore ka sjellë disa ndryshime se si do trajtohen këto kategori. Gjatë 2015 rreth 3500 pensione, janë caktuar jashtë afateve ligjore duke sjelle reagime të qytetarëve shqiptarë. Tashmë me këtë vendim, qytetarët nuk kanë pse të shkojmë më drejt Gjykatave, por do marrë shteti përgjegjësinë për njohjen e pensioneve”, tha Klosi.
Ministri Klosi u ndal tek një tjetër vendim i rëndësishëm për pensionistët në disa zona rurale, të cilët do të përfshihen në skemën lehtësuese për pagesën e energjisë, ku hiqet fasha prej 300 kilovatësh. Një tjetër vendim i rëndësishëm është miratuar dje në Këshillin e Ministrave, plani kombëtar i veprimit për personat me aftësi të kufizuar.
“Këta persona nëpërmjet trajtimeve do të mund të riintegrohen në shoqërinë shqiptare. Do tregohet më shumë përkujdesje për këtë kategori. Qëllimi i këtij plani synon të bëjë integrimin e këtyre personave, të shmangë diskrimimin, dhe të mundësojë më shumë trajtim e përkujdesje për ta”, tha ministri Klosi.
ma.me