Përzgjedhësi i Portugalisë, Fernando Santos, pret ndeshje shumë të vështirë ndaj Polonisë në çerekfinalen e Euro 2016 të enjten.
Portugalia ka arritur në mesin e tetë më të mirëve me vetëm një fitore dhe tri barazime. Madje fitoren e vetme e ka realizuar ndaj Kroacisë në lojën shtesë në 1/8-n e finales.
“Polonia është rritur deh tani ka skuadër shumë të fortë. Nesër do të jetë ndeshje e vështirë mes dy skuadrave të forta me lojtarë shumë të mirë, të dy ekipet me një qëllim – për të kaluar në gjysmëfinale”, ka thënë Santos në konferencën për media.
“Besoj që do të kalojmë tutje edhe pse mendoj se nuk ka favorit. Jemi duke u përballur me një kundërshtar të fortë me kualitetet të lartë dhe besoj se ndeshja do të jetë e barabartë”, ka shtuar ai. Fituesi i çerekfinales të së enjtes luan në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes Uellsi – Belgjika. (b.an)