Policia italiane ka shkatërruar një bandë grabitësish prej 20 shqiptarësh, mbi të cilët rëndon akuza e vjedhjes masive. Operacioni i quajtur “Selfie” ka rezultuar me sukses.
Sipas policisë kjo organizatë e ndarë në dy grupe është përgjegjëse për vjedhjet e banesave në provincën e Trentionos si dhe për vjedhjet masive të vitit 2015 dhe fillimit të këtij viti.
Operacioni ka marrë emrin “Selfie”, për shkak se dy nga shqiptarët e rinj të arrestuar, kanë shkrepur një fotografi në një tabletë të vjedhur, dhe fotografia ka kaluar në një folder privat të pronarit të tabletit, raporton Tv Klan.
Fotografia ka ndihmuar në identifikimin e hajdutëve dhe krijimin e të dhënave të tjera për bandën. Gjatë kërkimeve të përfunduara kohët e fundit janë konfiskuar pothuajse 25 mijë euro dhe qindra bizhuteri, stoli etj.
Gjithashtu njërit prej shqiptarëve i është gjetur dhe konfiskuar një armë (me dy karikatorë) të cilat rezultuan të vjedhura në prag të Krishtlindjeve të vitit të kaluar.
Dhjetë nga hajdutët do të burgosen në burgje të ndryshme në veri të Italisë. Shtatë të tjerë do të kthehen në Shqipëri, nga ku do të jepet mandati “arrest me burg” në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Ndërsa 3 anëtarët e tjerë, do të hetohen si të dyshuar për terrorizëm./a.m.