Nuk janë periudha të qeta këto mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pas lajmit se ushtria turke ka ofruar armatim ushtarak për Shqipërinë, kanë reaguar ekstremistët grekë. Sipas Agimit të Artë, Turqia po ndihmon Shqipërinë për të krijuar Shqipërinë e Madhe.
“Krijimi i harkut islamo-turk në Ballkan, pjesë e së cilës është Shqipëria e Madhe, tashmë është fakt. Turqia do të vazhdojë të furnizojë me armatim Shqipërinë dhe këto armë në një periudhë të afërme do përdoren për veprime kundër territorit grek,” thuhet në deklaratën e Agimit të Artë.
Ndërkohë Shqipëria ka treguar muskujt e saj në det, aty ku është tensioni më i madh me Greqinë.
“Që nga data 8 qershor 2014 në vendin tonë ka vijuar stërvitja detare rajonale “Adrion Livex 2015”. Kjo stërvitje u realizua në kuadër të nismës rajonale “Adrion”, e cila synon rritjen e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërmjet forcave detare të vendeve që lagen nga Deti Adriatik dhe Deti Jon me qëllim rritjen sigurisë detare të rajonit,” thuhet në njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.