Kryetari i Komisionit për Europën në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum, paralajmëron se dështimi i reformës në drejtësi do të sjellë humbjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Paralajmërimi i deputetit gjerman është bërë nga Tirana, gjatë një vizite faktmbledhëse për ecurinë e reformës në drejtësi. “Nëse kjo reformë dështon, mund të vendosim t’jua heqim statusin kandidat. Të gjithë të jenë të përgjegjshëm për përgjegjësinë në këtë rast, durimi ynë nuk është i pafund”, u shpreh Krichbaum.
Deputeti gjerman u shpreh qartë se Bundestagu do të çelë dritën jeshile për çeljen e negociatave me Shqipërinë, nëse reforma miratohet dhe nis zbatimi i saj. “Ne nuk interesohemi për letrat, por mënyrën si zbatoni ligjet. Bundestagu gjerman do të japë dritën jeshile për çeljen e kapitujve të anëtarësimit, por do duhet kohë se ju duhet të zbatoni këto reforma”, tha Krichbaum.
Ai solli në vëmendje se data 21 Korrik është vendimtare për reformën në drejtësi. “Tashmë janë pjekur kushtet të merret një vendim. Data 21 korrik vendimtare për këtë çështje se duhet marrë vendim. Duhet të shmanget që BE dhe Komisioni Europian të humbin durimin“, theksoi ai.
Krichbaum iu referua edhe takimeve me kryeministrin Edi Rama, kreun e opozitës, Lulzim Basha si dhe ekspertin e EURALIUS. “Në fund të procesit të kemi reformë, ku palët ta gjejnë veten të përfshira”, ishte mesazhi i Krichbaum. Ndërsa shtoi se “opozita është angazhuar fuqimisht në të gjitha reformat dhe atë në drejtësi”. “Qeveria dhe opozita të ecin përpara dhe të gjejnë kompromis. Nëse nuk gjendet kompromis, nuk arrihet pavarësia e drejtësisë. Kjo nënkupton se dhe në vendin tuaj drejtësia duhet të jetë e pavarur. Kjo është e qartë përsa i përket përzgjedhjes së Këshillave të lartë dhe kur këta këshilla do të marrin vetë vendime. Një vend ku qeveria ushtron ndikim në drejtësinë e tij, nuk është vend i BE”, deklaroi Krichbaum.
Gunther Krichbaum ndodhet në Tiranë në kuadër të një misioni faktmbledhës për reformën në drejtësi. Krichbaum është pjesë e CDU-së së Angela Merkel, forcë politike e cila qeveris Gjermaninë prej 3 mandatesh radhazi.
ma.me