Gjyqtari Shyqyri Çobo i gjykatës së Beratit është pezulluar pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Çobo është akuzuar nga një shtetase se i ka kërkuar favore seksuale.
Prokuroria, në kërkesën e saj, ka bërë të ditur se “gjyqtari i kërkoi lidhje lidhje intime denoncueses”.
Denoncuesja ka qenë në proces divorci dhe Çobo ishte gjyqtari i çështjes së saj.Denoncuesja ka qenë në proces divorci dhe Çobo ishte gjyqtari i çështjes së saj.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se Çobo e ka telefonuar plot 300 herë denoncuese për një periudhë 3-mujore, përmes të cilave del në pah fakti se ai ka insistuar për një lidhje intime mes tyre.
Njoftimi i Prokurorisë
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtarin e Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, i dyshuar për konsumimin e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….” në formën e kërkimit të favoreve seksuale.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.
Në vijim, nga kqyrja e aparatave dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë.
Për këtë arsye, shtetasja I.T. i është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka realizuar kqyrjen e telefonave, nga të cilët ka rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst.
Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime.
I pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën.
Por, nga provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në Gjykatën e Beratit.
Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016.
D.I.