Ledia Rredhi 17-vjeçarja nga Marinza e cila prej datës 23 maj është larguar nga banesa, dyshohet të jetë rrëmbyer. Çështja po hetohet nga Krimet e Rënda ndërsa një person i dyshuar për rrëmbimin e vajzës është shpallur në kërkim, shkruan Shekulli. Të dhëna ende të pakonfirmuara pohojnë se ai është banor i një lagjeje afër zonës së Marinzës.
Tri ditë ka zgjatur ankthi dhe pritja e familjarëve për të mësuar mbi fatin e vajzës. Personi që ka pasur më tepër kontakt me 17-vjeçaren është xhaxhai i saj, Petrit Rredhi. Sipas tij e mbesa i ka telefonuar disa herë. Ai deklaroi se në telefonatën e parë vajza i kishte thënë se ndodhej në Kosovë me një vlonjat, të cilin e kishte njohur në Facebook, ndërsa më pas i kishte treguar se ishte me një kosovar. Petriti i mëshon fort faktit se në telefonatën e parë vajza dukej e qetë, ndërsa më vonë në zërin e saj dallohej frikë.
Vajza ishte e fejuar nga muaji shkurt me një djalë emigrant në Gjermani, me origjinë nga Mallakrastra dhe që jeton në Vlorë. Ndërkohë pak ditë para se të largohej, vajza kishte braktisur shkollën me arsyetimin se është e sëmurë. Në momentin e largimit asnjë nuk ka qenë i pranishëm në shtëpi.
ma.me