Nga Sokol Çobo/ BIRN
INVESTIGIMI
Mbivendosja e lejeve minerare ka prodhuar përplasje midis bandave kriminale për kontrollin e galerive të kromit në Bulqizë, duke shkaktuar një duzinë të vrarësh dhe të plagosurish gjatë dekadës së fundit, ndërkohë që qyteza e vogël e rrethuar nga malet mbetet një nga zonat më të varfra të Shqipërisë.
Me 21 Janar 2014, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është paraqitur për të dhënë deklarim në mënyrë vullnetare Gentian Kaçi, i cili 8 muaj më parë kishte rënë pre e një atentati në rrugën At. Zef Pllumbi në Tiranë. I plagosur rëndë gjatë një atentati më 4 Prill 2013, Kaçi u tha oficerëve të policisë se tashmë ishte gati të identifikonte personin që e kishte qëlluar.
Kaçi deklaroi se autori i plagosjes së tij ishte Gjin Nika – në atë kohë i arrestuar nga policia për armëmbajtje pa leje. Kaçi e justifikoi denoncimin e vonuar të Nikës, duke treguar se “kishte frikë, mbasi sipas tij, autori kishte lidhje me policinë, prokurorinë dhe Gjykatën e Bulqizës.”
Edhe pse dëshmia e Kaçit u mbështet nga dy shokë të tij dëshmitarë të plagosjes, Alban Hysa dhe Shkëlzen Leka, me 25 shkurt 2014, Gjykata e Apelit në Tiranë e zbuti masën e arrestit për Nikën në “detyrim paraqitje”.
Nika ishte një person me precedentë të theksuar kriminalë, dhe dyshohej si vrasës me pagesë. Ai dyshohej për vrasjen e biznesmenin Hysen Talja në 17 janar 2014 pranë Tregut Elektrik në Tiranë, i cili kishte në shfrytëzim një galeri kromi në Bulqizë. Nika gjithashtu ka qenë në listën e të dyshuarve për vrasjen Shefqet Shehut në Bulqizë në vitin 2013 – një tjetër biznesmen kromi – ndërkohë që është dënuar për plagosjen e vëllait të tij.
Megjithatë, me 4 Prill 2014, dy jave pasi ishte liruar nga burgu, Nika u qëllua për vdekje pranë Urës së Tapizës në Fushë Krujë. Në atentatin kundër tij u vra dhe 33 vjeçari Fabio Xhunga, i cili po udhëtonte me motor me Nikën. Ndërkohë, në 5 dhjetor 2014 në rrugën e Kavajës në Tiranë është vrarë dhe Shkëlzen Leka, i cili kishte dalë dëshmitar kundër Nikës.
Sipas burimeve policore të konsultuara nga BIRN, kjo seri vrasjesh dhe atentatesh është pjesë e një zinxhiri të gjatë krimesh gjatë dekadës së fundit – pasojë e përplasjes së grupeve kriminale për kontrollin e galerive të kromit në zonën e pasur minerare të Bulqizës.
Sipas burimeve lokale policore dhe të prokurorisë, kjo përplasje u bë më e ashpër pas vitit 2005, kur qeveria e qendrës së djathtë e ish kryeministrit Sali Berisha dha qindra leje shfrytëzimi për galeri në Bulqizë, të cilat u kthyen në vatra konflikti pasi ishin shpesh të mbivendosura.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pronarët e këtyre galerive kanë në disa raste lidhje politike, ndërkohë që burime në policinë e Bulqizës thonë se mes tyre ka dhe individë të dënuar dhe grupe kriminale.
“Bulqiza është e mbjellë me hashash të zi dhe etja e mafies apo politikës për këtë mineral, ka sjellë skllavërimin e minatorëve,” thotë sindikalist Dilaver Përkoxha, ndërkohë që shton se minatorët detyrohen të punojnë me normë, në kushte të rrezikshme dhe askush nuk shpallet fajtor për aksidentet e shpeshta në punë që u kushtojnë jetën.
Edhe pse galeritë e kromit punësojnë mijëra punëtorë, kreu i bashkisë së Bulqizës Melaim Damzi tha që të ardhurat fiskale nga miniera janë të pakta dhe Bulqiza vazhdon të jetë një nga qytetet më të varfra në Shqipëri.
Koncesioni e Bulqizës
Kromi në zonën e Bulqizës është identifikuar që në vitin 1942. Në vitin 1948 ka filluar shfrytëzimi sipërfaqësor i mineralit në një sipërfaqe rreth 1 deri në 2 km katror dhe është punuar në gjashtë dalje të mineralizuara. Krahas shfrytëzimit në sipërfaqe, në vitin 1949 filloi hapja e punimeve nëntokësore të kërkimit për të mundësuar fillimin e shfrytëzimit në nëntokë të vendburimit.
Për intensifikimin e mëtejshëm të kryerjes së punimeve të kërkim-zbulimit, në vitin 1956 u organizua dhe filloi aktivitetin Ndërmarrja Gjeologjike Bulqizë, e cila i hapi rrugën zhvillimit të minierës.
Pas viteve 2000, miniera e Bulqizës dhe uzinat e ndërtuara në kohën e komunizmit kaluan përmes disa duarsh.
Më 26 shkurt 2001, qeveria me vendimin me numër 82 i dha me koncension shoqërisë “Darfo” S.p.a Itali, pas një propozimi të pakërkuar, minierën e kromit dhe fabrikën e pasurimit në Bulqizë, bashkë me impiantin e seleksionimit në Klos dhe uzinën e ferrokromit në Burrel.
Koncesioni u firmos nga kryeministri i atëhershëm, Ilir Meta, ndërsa ministri i Ekonomisë Publike dhe Privatizimit ishte Mustafa Muçi. Kohëzgjatja e koncesionit do të ishte 30 vjet.
“Darfo” themeloi kompaninë “DARFO ALBANIA” më 14 prill 2000. Në korrik të vitit 2009, “DARFO” i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare “DARFO ALBANIA”, shoqërisë “ACR Holding” dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në “Albanian Chrome” me të njëjtin NIPT. Më datë 6 shkurt 2013, në METE u protokollua një njoftim i “Albanian Chrome”, ku ortakët e “ACR Holding” i kanë shitur shoqërisë “Balfin” 100% të kuotave të “ACR Holding”.
Mësohet se vetëm kuotat e shoqërisë “ACR Holding” i janë shitur “Balfin,” gjë e cila nuk ka sjellë ndryshim të shoqërisë koncesionare “Albanian Chrome” dhe mbetet po shoqëria koncesionare që vazhdon të kryejë aktivitetin e përcaktuar në marrëveshje.
Kjo marrëveshje, sipas Ministrisë së Energjetikës, ka transferuar tek shoqëria “Balfin” të gjitha detyrimet dhe të drejtat e koncesionarit, të parashikuara në Marrëveshjen e Koncesionit, për realizimin e planit të investimeve dhe të rehabilitimit të objekteve të koncesionit; për shlyerjen e detyrimeve ndaj qeverisë dhe të tretëve.
Lejet e kërkimit dhe shfrytëzimit
Krahas koncensionit, pas vitit 2005, ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dha me qindra leje për kërkim dhe shfrytëzim për krom në rrethinat e qytetit të Bulqizës. Në këtë mënyrë, zona është ndarë me parcela.
BIRN ka siguruar listën e plotë të të gjitha subjekteve që kanë marrë leje për shfrytëzimin e kromit në rrethin e Bulqizës. Sipas listës së përpiluar nga AKBN-ja, janë 117 leje të tilla.
Sipas Ministrisë së Energjetikës, deri më fund 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzimi për mineral kromi, nga të cilat tre leje janë koncencionare. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjve ultrabazikë.
Numri më i madh i lejeve të shfrytëzimit, 117 leje ose 47% e të gjitha lejeve të shfrytëzimit, ndodhet në rrethin e Bulqizës. Në vitin 2008, ishin 68 leje shfrytëzimi, ndërsa në vitin 2013 ky numër kishte arritur në 118.
Të dhënat zyrtare nga ministria e Energjetikës tregojnë se, kohët e fundit janë revokuar dhjetra leje, pasi kishte mbivendosje parcelash apo galerish. Sipas Ministrisë, në momentin e dhënies së lejeve, ekspertët kanë gabuar koordinatat tredimensionale.
Një tjetër problem në zonë janë edhe rrugët e kalimit (servitutet). Sipas raporteve të ministrisë së Energjetikës, dhënia e lejeve të kërkimit dhe shfrytëzimit pa kriter, ka sjellë që disa galeri të mos kenë rrugë dalje, apo që të kalojnë në parcelat e shoqërive të tjera. Madje, edhe pompat e ujit apo rrjeti i energjisë elektrike i ngritur që në kohën e komunizmit, ka sjellë përplasjen mes shoqërive të ndryshme.
Ministria e Energjetikës i tha BIRN se në ligjin e ri për minierat, i miratuar fundvitin 2014-të, neni 47 përcakton se një leje minerare revokohet kur konstatohet se zona e licencuar ka mbivendosje të plotë ose të pjesshme, me një leje minerare që është dhënë më parë konform legjislacionit në fuqi në atë periudhë kohore.
Në këtë rast, leja minerare, e cila është dhënë në një periudhë kohore të mëvonshme është e pavlefshme për zonën e mbivendosur dhe ministri e revokon atë, vetëm për zonën e mbivendosur. “Në zbatim të këtij përcaktimi ligjor, ministri Gjiknuri ka firmosur revokimin e plotë ose të pjesshëm për arsye të mbivendosjeve për 20 leje minerare” thanë burimet zyrtare.
Një oficer policie që ka punuar për një kohë të gjatë në Bulqizë, i cili nuk preferoi të identifikohej për shkak të detyrës që kryen ende në Policinë e Shtetit, i tha BIRN se konfliktet në këtë zonë janë shkaktuar pikërisht për mbivendosjen e parcelave, apo galerive për kërkimin dhe shfrytëzimin e kromit.
“Mafia ka arritur të zaptojë disa galeri, duke u marrë ‘taksë’ edhe shoqërive të tjera,” tha oficeri.
Sipas tij, katër vitet e fundit, në zonën D janë dhënë një mori lejesh për kërkimin dhe shfrytëzimin e kromit, ndërsa janë futur në lojë dhe dhjetëra shoqëri nënkontraktore.
Dhënia e këtyre lejeve pa kriter ka sjellë për vite me radhë një amulli të madhe në minierën e Bulqizës.
“Kemi informacione se individë, të dënuar apo të dyshuar për krime të rënda, kanë marrë nën kontroll disa galeri kyçe në minierën e Bulqizës,” tha për BIRN oficeri i policisë.
Ai shton se e gjitha kjo është bërë me mbështetjen e disa politikanëve, lokalë apo edhe qendrorë.
Të njëjtin shqetësim ndan dhe sindikalisti Përkoxha në lidhje me fijet politike apo kriminale që zgjaten në minierën e Bulqizës.
“Kohët e fundit, mafia me mbështetje të fortë politike ka arritur të marrë në kontroll një nga galeritë kryesore në zonën D, nga e cila kalohet në të gjitha galeritë e tjera,” tha ai.
“Mafia e një politikani të rëndësishëm në Tiranë është prezente në Bulqizë. Ky politikan po e shfrytëzon këtë minierë që prej vitit 2001, kur u dha dhe koncesion,” shtoi Përkoxhaj.
Amullia në nivelet e ndryshme të sektorit D është shtuar dhe nga vendimet e gjykatave që kanë sjellë mbivendosje.
E pyetur nga BIRN, ministria e Energjetikës tha në një përgjigje zyrtare se “nuk mund të kontrollojë marrëdhëniet mes këtyre shoqërive, pasi ajo vetëm jep leje dhe i takon policisë që të mbrojë jetët e individëve apo pronat.”
Krom i përgjakur
Problemet e koncesionarit si dhe dhënia e lejeve të shfrytëzimit të nëntokës së Bulqizës, përgjatë 15 viteve të fundit, ka sjellë një kaos në shfrytëzimin e kromit. Raportet e policisë ndër vite tregojnë se individë me të dhëna kriminale kanë arritur të zaptojnë galeri, apo janë punësuar për të ruajtur galeri të tjera.
Në vitin 2009, sipas policisë së Shtetit, pati përplasje mes fiseve Tërnova dhe Shehu, zotërues të disa galerive. Megjithëse kishin lidhje gjaku mes tyre, konkurrenca dhe mosmarrëveshjet degjeneruan në një rrahje masive në qytet.
Disa muaj më vonë, në mars të vitit 2010 vjen incidenti tjetër, kur Ilirjan Jangulli dhe miqtë e tij dyshohet se grabitën me armë një sasi të madhe prej 700 tonë krom me vlerë të paktën 4 milionë lekë të reja nga galeria e një prej grupeve rivale. Jangulli është pronar i Kevger Sh.p.k, dhe ka leje shfrytëzimi në galerinë 44 në sektorin D.
Më pas kanë filluar sherret dhe konfliktet, duke u përfshirë edhe disa klane, ku secili vepronte për biznesin e tij.
BIRN mësoi nga policia e Shtetit se ngjarja e 5 janarit të vitit 2011 njihet si konflikti më i madh për betejën e kromit. Në komunikatat zyrtare të policisë, Ilirjan Jangulli u akuzua se në qendër të qytetit të Bulqizës, gjatë një sherri ka qëlluar me armë zjarri dhe ka vrarë Fehmi Kërçunin. Në të njëjtën përplasje u plagosën Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreu.
Në atë kohë, policia tha se u përplasën fiset Duriçi dhe Sheta. “Vëllezërit Arben dhe Ardian Duriçi u përfshinë në konfliktin të armatosur, ku u sulmuan nga Jangulli, Destan Sheta dhe të tjerët,” pohojnë burimet nga Policia e Shtetit.
Sipas tyre, më 13 qershor 2011, ndodh një tjetër ngjarje kriminale, por kësaj herë jashtë qytetit të Bulqizës. Në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, u vra Nadien Zeneli dhe u plagosen dy shokët e tij. Zeneli banonte në Tiranë, por kishte aktivitet në fushën e kromit. Ai ishte i përfshirë në sipërmarrjet e disa biznesmenëve në atë zonë. Më 29 qershor 2011, Policia e Tiranës arrestoi Mariglen Hakën si i akuzuar për vrasjen.
Konfliktet mes fiseve Duriçi dhe Jangulli vijuan edhe në vitet 2012-2014. Mësohet se Arben Duriçi dhe vëllai i tij Ardian Duriçi, pronarë të disa galerive në zonën D, kanë qenë në përplasje me Ilirjan Jangullin e Destan Shetën. Policia thotë se në një banesë në pronësi të fisit Duriçi u vendos tritol në vitin 2012 në Bulqizë, pa dëme në njerëz. Ndërkohë, automjetit të vëllezërve Duriçi iu vendos eksploziv në Tiranë.
Ngjarjet zhvendosen më 17 janar 2013. Pas një aksioni të policisë së Tiranës, është prangosur i shumëkërkuari Ilirjan Jangulli, që ishte prej dy vitesh në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi akuzohet për vrasje dhe vjedhje kromi në minierën e Bulqizës.
Ai u akuzua për vrasjen e 5 janarit 2011 në qendër të Bulqizës, ku nga përplasja e dy grupeve mbeti i vdekur një minator i rastësishëm, Fehmi Kërçuni dhe u plagosën dy anëtarë të grupit, Shpëtim Reka dhe Eleonard Ndreu.
Ndërkohë, më 20 prill 2013, vritet biznesmeni i kromit, 40-vjeçari Shefqet Shehu, ndërsa i plagosur mbeti vëllai i tij Vehab Shehu. Ata u qëlluan në një lokal vetëm 200 metra larg komisariatit të policisë Bulqizë. Për këtë ngjarje u arrestua Fadil Tërnova, pronar i disa galerive. Gjithçka lidhej me një konflikt të vjetër të ndodhur në vitin 2009, në vendin e quajtur “Pishat”.
Policia i tha BIRN-it se në atë kohë, Vehab Shehu është plagosur rëndë me armë zjarri nga anëtarët e familjes Tërnova, edhe pse në lidhje gjaku mes tyre. Ata kishin qenë bashkëpronarë të galerive deri në 2009 dhe më pas janë ndarë, duke nisur konfliktet për kontrollin e Zonës D.
Ndërkohë, më 2 shtator 2013 u ekzekutua Qerim Marku, pronar i disa galerive dhe mbeti i plagosur Sami Smeli. Për vrasjen e Markut u dyshua rivali tjetër i tij, Gjin Nika dhe grupi i tij, por edhe klanet e tjera me të cilat kishte konflikte. Policia e Dibrës ka evidentuar përplasje ndër vite mes familjeve të B. dhe E. Çupit, E. Ketës, L. Tërnovës, R. Duriçit, N. Shabanit, F. dhe U. Tançit, si dhe A. Shehut.
Sipas raporteve të policisë, më 17 janar 2014, Hasan Talja u ekzekutua në rrugën “Bajram Allaraj” në Tiranë. Sërish, policia tha se motiv i krimit ishin konfliktet për biznesin e kromit në Bulqizë me grupe rivale. Për këtë ngjarje u dyshua Gjin Nika dhe grupi i tij.
Me 24 janar 2014, është arrestuar Destan Gjeta. Ai akuzohej për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy personave të tjerë. Gjeta, së bashku me Ilirjan Jangullin, ishin cilësuar si një nga kundërshtarët e biznesmenit të kromit, Arben Duriçi, ndërkohë që familjes së këtij të fundit i janë bërë disa atentate.
Sipas disa raporteve të Policisë së Shtetit, konfliktet për galeritë e kromit në Bulqizë gjatë viteve të fundit kanë shkaktuar 8 viktima dhe rreth 14 të plagosur.
Një prokuror në Dibra, i cili foli në kushte anonimati i tha BIRN se përplasja e grupeve kriminale për zonën D kishte ardhur si pasojë e mbivendosjes së galerive.
“Disa të fortë vendas janë apo kanë qenë të ‘punësuar’ si truproje të firmave që operojnë në atë zonë, ndërsa ata janë përplasur me të fortë të tjerë, që mbrojnë shoqëri të tjera,” tha Prokurori.
“Në mungesë të vendimmarrjeve të ministrisë së Energjetikës në vite, apo edhe të vendimeve të dyshimta të gjykatës, grupe kriminale janë përleshur me njëra-tjetrën,” shtoi ai.
Lidhjet me politikën
Përveç kompanisë koncensionare Balfin Group, në pronësi të biznesmenit Zamir Mane, në Bulqizë operojnë disa kompani me lidhje të forta politike, në administratën qendrore dhe atë vendore.
Familjarët dhe të afërmit e ish kryetarit të bashkisë së Bulqizës deri në vitin 2014, Mufit Duriçi, kontrollojnë dy kompani të cilat kanë leje shfrytëzimi minerare për krom; Duriçi shpk me administrator Hysen Duriçin dhe Kadurtex shpk, me administrator Kapllan Duriçin.
Të afërmit e deputetit të Partisë Demokratike Roland Keta, zotërojnë tre kompani të cilat kanë katër leje minerare në zonën e Bulqizës.
Egi-K shpk operon në galerinë B të zonës D dhe ka si administratori Eduart Keta. IVNO 1100 Shpk, me administrator Gentian Keta, shfrytëzon një burim në Krastën Qendrore. Ndërkohë GENTARI sh.p.k, operon në galerinë 38 në minierën e Bulqizës dhe ka si administrator Gentian Keta.
Në Bulqizë operon dhe një kompani e lidhur me deputetin e LSI, Përparim Spahiu. Kompania Lubima Sh,p,k është në pronësi të dajës së deputetit, Luan Manjani.
Gjak dhe varfëri
Prodhimi i mineralit të kromit në Shqipëri në vitin 2005 ishte 170,697 ton ndërsa në vitin 2015 ai paraqitet në shifrat 646,139 ton, Rreth 63.55 % ose 410,622 ton e këtij prodhimi është realizuar në vendburimin e Bulqizës.
Sipas një propozimi të paraqitur rishtazi në parlament, qeveria ka rënë dakord me shtyrjen e afatit të koncesionit të kompanisë “Albchrome” me 10 vjet. Ky projektligj pritet të diskutohet në parlament.
Inxhinieri Nexhbedin Marku tha për BIRN se, aktualisht koncesionari “Albchrome” ka hapur pusin në nivelin 17, çka përkthehet në një thellësi prej 840 metrash. Sipas përllogaritjeve, qyteti i Bulqizës është rreth 820 metra mbi nivelin e detit, dhe aktualisht minatorët po gërmojnë në një thellësi nën nivelin e detit.
Marku thotë se puna do të ecë deri në nivelin 23, si dhe në traverbankun Klos-Bulqizë. Kjo thellësi punimi rrit vështirësitë e minatorëve. Mësohet se shumica e tyre paguhen me normë pune, dhe një ditë e zakonshme pune llogaritet rreth tetë orë.
Sipas sindikalistit Dilaver Përkoxha aktualisht janë rreth 3,000 minatorë që punojnë në Bulqizë, në firmën Albchrome apo edhe në shoqëritë e tjera private. Përkoxha, që ka drejtuar për katër vite Sindikatën e Minatorëve të Bulqizës, thotë se “norma e minatorëve varët nga largësia, apo thellësia e galerisë. Mesatarja për një minator është nxjerrja e 3 vagonëve me krom”.
Përkoxha thotë se sipas informacionit të mbledhur gjatë viteve, aksidentet me plagosje fshihen nga pronarët, ndërsa për aksidentet fatale blihet heshtja e familjarëve.
“Minatorët, por edhe banorët e Bulqizës janë përballur me një tmerr të vërtetë, varfëri ekstreme dhe gjak,” tha sindikalisti.
Përkoxha thotë se deri më sot, nuk ka asnjë person të dënuar për aksidentet në punë.
“Vdekja është blerë me lekë. Ngjarjet nuk zbardhen asnjëherë. Gjithmonë, faji është i viktimës,” thotë ai, ndërsa sulmon edhe krerët aktualë të Sindikatës.
“Nuk bëjnë asnjë reagim. Minatorët sot janë në mëshirë të fatit dhe skllavërohen përditë nga pronarët. Që nga ndryshimi i pronarëve të koncesionarit, Sindikata është kthyer në ‘pronë’ të tyre,” shtoi ai.
Kryetari i bashkisë Melaim Damzi tregon se miniera e Bulqizës ushqen rreth 1/3 e popullsisë së kësaj zone, e cila përllogaritet në 40 mijë banorë. Krahas 3 mijë minatorëve, janë të punësuar edhe mijëra të tjerë në shërbimet për minierën, si në hotele, restorante apo bare.
Sipas zyrës së Punës në bashkinë e Bulqizës, 28 përqind e banorëve janë të papunë.
Damzi thotë se Bulqiza paguan një kosto të lartë njerëzore për kromin, por të ardhurat që ajo përfiton janë të pakëta.
“Në vitin 2015, bashkia e Bulqizë mori 80 milionë lekë të vjetra nga renta minerare. Shteti merr 4 përqind të të gjithë prodhimit të kromit. Ndërkohë, bashkia përfiton 5 përqind të 4 përqindëshit që përfiton shteti,” tha ai.
Edhe pse miniera është jetësore për ekonominë e Bulqizës, Damzi, i tha BIRN se aksidentet në punë i kushtojnë shtrenjtë taksapaguesve.
“Aksidentet në punë, krahas dëmtimit të minatorëve, janë kthyer në një problem edhe për Bashkinë, e cila duhet t’u lidhë pension këtyre minatorëve,” përfundoi kryebashkiaku.
ma.me