Autoritetet egjiptiane njoftuan për gjetjen e anijes shqiptare dhe kapjen e pengmarrësit egjiptian, por nuk kanë dhënë asnjë njoftim për fatin e marinarëve shqiptarë, kapitenit Dhimitër Maja dhe mekanikut Luan Mema.
Në qytetin e Aleksandrisë, në portin e të cilit ndodhet tashmë anija, ka mbërritur me urgjencë ambasadori shqiptar në Kajro, Eduard Sula. Zotin Sula ka qenë në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, ku iu është përgjigjur disa pyetjeve.
TCH: Zoti ambasador, mirëmbrëma. Pyetja e parë që reflekton ankthin e opinionit publik këtu në Shqipëri është: a janë gjendur nga autoritetet egjiptiane dy marinarët shqiptarë?
Eduard Sula: Autoritetet egjiptiane na njoftuan për kapjen e peshkarexhës dhe arrestimin e marinarit egjiptian, por s’kanë dhënë asnjë njoftim për dy shqiptarët. Bashkë me stafin tim jam nisur për në Aleksandri, ku do të informohem. Dua të theksoj se këto kanë qenë javë të ngarkuara me punë, me kontakte 24 orë në 24 dhe i gjithë stafi i ambasadës është angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi.
TCH: Zoti ambasador, çfarë do të ndodhë me anijen dhe cili është fati i pengmarrësit? Në bazë të ligjeve të cilit vend do të hetohet ai, Shqipërisë apo Egjiptit?
Eduard Sula: Anija momentalisht është në portin e Aleksandrisë dhe për fatin e saj do të vendoset konform konventave ndërkombëtare. Kam parasysh këtu deklaratat e autoriteteve egjiptiane. Ndërsa për fatin e marinarëve shqiptarë kam ardhur personalisht këtu për t’u informuar. Gjej rastin të falenderoj autoritetet egjiptiane për bashkëpunimin./a.k