Tirana do të jetë qyteti i parë në Ballkan që i bashkohet nismës për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në markete apo supermarkete. Në aktivitetin “Më pak qese plastike, më shumë jetë” organizuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve që të reduktojnë në maksimum përdorimin e qeseve plastike, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i konsideroi ato si një nga problemet më shqetësuese me të cilin përballet sot qyteti.
Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të ndjekë politikën e reduktimit në maksimum të përdorimit të ambalezheve plastike, deri në ndalimin e plotë të tyre.
“Vitin tjetër, në ditën botërore të mjedisit, Tirana do të jetë një qytet ku do të ndalohet përdorimi i qeseve plastike”, tha ai.
Veliaj shtoi se për të patur një ndryshim gradual të situatës dhe që qytetarët të mos gjenden të papërgatitur, është menduar që procesi të vazhdojë fillimisht me një fushatë ndërgjegjësimi.
“Do të fillojmë të punojmë gradualisht, që deri në datën 5 qershor, duke futur konceptin e çantave shumëpërdorimshe të pazarit, të reduktojmë në maksimum maninë që kemi për të përdorur qeset plastike. Dëshira për të përdorur kaq shumë qeset plastike është e pakuptimtë, por sigurisht me pak ndërgjegjësim mund të reduktohet”, shtoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se qeset plastike janë një nga shkaktarët kryesorë të bllokimeve të pusetave dhe kanalizimeve në qytet, çka rrjedhimisht bëhen shkak edhe për përmbytje nga shirat.
“Mjafton të shihni ditët me shi, për të kuptuar se qeset plastike jo vetëm që kanë një impakt në mjedis, por bllokojnë edhe kanalizimet. Ne nxjerrim çdo ditë kilogramë të tëra me qese që bllokojnë kanalet e ujërave të zeza. Duhet të kuptojmë se ka impakt të dëmshëm jo vetëm në mjedis, jo vetëm në eko sistem sepse plastika nuk shpërbëhet, por edhe në probleme të tjera të qytetit siç është rasti i përmbytjeve”, u shpreh Veliaj.
Por, që Tirana të jetë edhe më e pastër, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se duke filluar nga kjo verë nuk do lejohet më ndërhyrja në kazanët e mbetjeve, pasi ky veprim së pari, rrit ndotjen në qytet dhe së dyti, përbën rrezik për përhapjen e sëmundjeve.
“Qyteti i Tiranës nuk do të lejojë më ndërhyrje në kazanët e mbeturinave sepse shpërndan infeksione pafund. Kush është realisht i interesuar të mbrojë kauzën e atyre që punojnë dhe jetojnë me riciklimin, nuk duhet ta kundërshtojë bashkinë. Përkundrazi, duhet ta mbështesë bashkinë që këtyre njerëzve t’u japë një punë me sigurime shoqërore, dhe jo të lejojë trajtimin e tyre si skllevër që punojnë për grosistë, të cilët as i paguajnë sa duhet, as i sigurojnë”, nënvizoi Veliaj.
Sipas tij, të gjithë ata që merren me mbledhjen dhe shitjen e mbetjeve do të kenë një mundësi reale punësimi në impiantin e riciklimit të mbetjeve në Sharrë, ku jo vetëm do kenë një punë të sigurtë, por edhe një pagë me siguracione.
“Bashkia e Tiranës, bashkë me partnerë si UNDP-ja, është shumë e gatshme sot t’u ofrojë një punë me pagesë dhe me sigurime shoqërore në pastrimin e qytetit, ose në impiantet e Sharrës, kujtdo që dëshiron të ketë një jetë me punë të ndershme në fushën e riciklimit”, tha Veliaj, teksa shtoi se është i vendosur ta fitojë betejën për një Tiranë të pastër.
Duke i vlerësuar qeset plastike si ndotëse të mëdha dhe me efekte të parikuperueshme në mjedis, projekti për marrjen e masave për reduktimin e përdorimit të tyre në qytetin e Tiranës synon që supermarketet t’i dhurojnë qytetarëve nga një çantë pazari ekologjike (miqësore me mjedisin) shumëpërdorimshme. Bashkë me çantën, konsumatorëve do t’u jepet informacion rreth rregullave dhe afateve të zbatimit të kësaj nisme, e cila do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me shoqatat mjedisore, bizneset dhe pikat e shitjes në kryeqytet./java/a.k