Është përmbyllur sot vizita e misionit të radhës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se ekonomia shqiptare po konfirmon stabilitet, duke u shprehur se qeveria është e angazhuar për uljen e borxhit publik. Ahmetaj tha se performanca e të ardhurave është në rritje, ndërsa shtoi se qeveria i mbetet besnike parashikimit për rritje 3.4% për vitin 2016.
Ministri i Financave theksoi se do të ketë thjeshtim të procedurave tatimore dhe doganore për bizneset, duke ruajtur performancën e qëndrueshme të të ardhurave. Ai tha se kuadri fiskal po diskutohet me FMN, dhe se Paketa e re Fiskale do të kalojë në qeveri për miratim brenda korrikut. Sipas tij hiqet frika e biznesit për rritje taksash dhe konsolidohet sistemi.
Ndërsa përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë Anita Tuladhar tha se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në përgjithësi janë në përputhje me parashikimet e bëra në buxhet, duke konfirmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra. Sipas saj, FMN parashikon që inflacioni do të rritet në 1.8% deri në fund të vitit. Tuladhar la si detyrë përshpejtimin e vendosjes së tatimit mbi pronën. Nga ana tjetër tha se duhet të ketë përparim të reformave strukturore. Tuladhar theksoi se sfidë për qeverinë shqiptare mbetet rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në investimet publike dhe se duhet të përmirësohet zbatimi i investimeve.
Në lidhje me sistemin bankar u shpreh se është i mirëkapitalizuar dhe me likuiditet, por kreditë nën standarde mbeten ende problematike edhe pse është ulur niveli i tyre.
SEJKO
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij tha se banka ka qenë e angazhuar me misionin e radhës të FMN, si dhe në përcaktimin e politikave mbështetëse për ekonominë shqiptare. Sipas tij ambjenti i jashtëm nuk është shumë pozitiv për ekonominë e vendit.
Sipas Guvernatorit, ekonomia do të vazhdojë të performojë me pozitivitet dhe se plani konsistent mbështet politikat monetare. Ai tha se do të ketë përmirësim progresiv për rritmet e rritjes ekonomike.
Guvernatori theksoi se mbatja e inflacionit brenda objektivave do të jetë graduale dhe në periudhë afatmesme. Sejko tha se bankat duhet të kenë qasje më pozitive ndaj kreditimit dhe se duhet të përshpejtohen reformat strukturore.
ma.me