Nga Lorenc Vangjeli/
Opozita ka zgjedhur të bëjë fushatë me gra. Sidomos në Tiranë. Në dy plane. Njëri më negativ dhe në mënyrë më negative se tjetri.
Të parin e bën kandidati zyrtar i PD-së në Tiranë Halim Kosova.
Të dytin e bën gjithë pjesa tjetër e mbetur e PD-së.
Zoti Kosova edhe për shkak të profesionit, sidomos në fillim të fushatës, nisi të përmendte histori të pafundme me gra që i kishte ndihmuar në lindje. Duke krijuar siklet edhe majtas, edhe djathtas. Edhe tek gratë, edhe tek burrat.
Sepse gratë, edhe pse mund ta shohin si Mesia gjinekologun e tyre gjatë shtatzanisë, përtej asaj marrëdhënieje, e kanë siklet t’u përmendet në publik shtrati ku ishin vizituar.
Sepse burrat, edhe pse bëhen rregullisht miq me gjinekologun e gruas, nuk duan të kujtojnë që ai jua njeh gruan, për shkak të profesionit, thelbësisht dhe thellësisht. Dhe që ka hedhur më shumë se një sy edhe aty ku ata nuk do të donin t’ua njihte burrë tjetër.
“Çfarëdolloj gjëje që do të dëgjoj gjatë një mjekimi, apo edhe që nuk ka lidhje me
mjekimin, për sa iu takon jetës së personave e që nuk duhet të nxirret në pazar, këtë gjë
do ta mbaj për vete, duke ruajtur fshehtësinë e plotë”, këtë urdhëronte Hipokrati,
Këtë betim ka bërë çdo mjek. Edhe Doktor Kosova. Sepse marrëdhënia mes mjekut e pacientit është një marrëdhënie private, konfidenciale dhe Hipokrati e këshillon të jetë edhe e sinqertë dhe e fshehtë. Vonë, por shumë më mirë vonë se kurrë, Doktor Kosova ka hequr dorë pak nga pak nga kjo mënyrë komunikimi e cila nuk ishte as etike, as estetike dhe as politike.
Në vend të tij tashmë ka dalë PD-ja që bën fushatë me gratë. Ashtu siç di të bëjë ajo. Egër e ashpër. Me të shtëna topash edhe aty ku duhet të përdoren vetëm këpucë balerinash.
Prej më shumë se një jave, Ajola Xoxa, bashkëshorte e kandidatit Veliaj, është vënë në shënjeshtër të sulmeve nga Partia Demokratike. E bën Doktori. Domethënë, Doktori i madh, Berisha. E bën gjithkush tjetër që i bie rruga tek mikrofoni i konferencave të shtypit të PD-së. Ato janë sulme që kryesisht synojnë të dëshmojnë gruan e punëve të pista të një burri që natyrisht do të bënte punë të pista edhe në krye të bashksië së Tiranë. Domethënë për të treguar një thua me defekt që të gjykohet për cilësinë e mishit që e mban.
Kjo është një fushatë që ndonëse ndryshon në formë nga ajo e Doktor Kosovës gjithashtu nuk është as etike, as estetike dhe as politike. Dhe në fund fare, nuk është as e dobishme. Kush është marrë me fushatë negative, nuk është se ka mbledhur fruta shumë pozitive për veten. Aq më tepër kur bëhet fushatë me gra.
Hipokritët e politikës do të vazhdojnë ende të merren me gratë e kundërshtarëve. Fundja kjo është traditë, edhe pse është pjesë e traditës së keqe të të bërit politikë në Shqipëri. Edhe për Liri Berishën është folur shumë dhe të majtët nuk e kanë kursyer kurrë zonjën e ish-kryeministrit. Tani duhet të presin kusurin. Edhe pse vetë shqiptarëve nuk u ka pëlqyer kurrë, me gjasë, kjo lojë balte.