Tanimë që maturantët kanë përfunduar provimet, do të nisë dhe procesi i përzgjedhjes së nxënësve që do të ndjekin shkollën e lartë. Për këtë pritet të ngrihen komisionet e posaçme në çdo universitet për të përcaktuar kriteret që do të duhet të plotësojë një maturant për tu shpallur fitues.
Megjithatë në mbyllje të provimeve, Ministria e Arsimit i ka dhënë mundësinë çdo maturanti të marrë në dispozicion tezën e plotësuar, kjo nëse ka pakënaqësi. Afati për të marrë kopjen e testit do të jetë data 1 korrik. Nga data “27.06.2016 deri 01.07.2016: Maturanti/kandidati bën kërkesën e tij në shkollë për fotokopje të provimeve D3, D1 të Maturës Shtetërore 2016. Bashkë me kërkesën dorëzon faturën për arkëtim.
Brenda datës 04.07.2016: KMSH e DAR/ZA dorëzon në AKP listën e kërkesave. Brenda datës 10.07.2016: AKP përcjell në KMSH e DAR/ ZA fotokopjet e testeve sipas kërkesave të maturantëve/kandidatëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Arsimit. Pas përfundimit të kësaj procedure do të nisë faza e përzgjedhjes së maturantëve që do të ndjekin shkollën e lartë.
Në portalin e posaçëm online do të hidhen votat mesatare të shkollës së mesme për çdo maturant si dhe të dhënat e tjera mbi të. Ndërkohë që vetë nxënësi do të ketë mundësinë të plotësojë online kërkesën për të aplikuar në një nga universitetet e vendit. Po ashtu në të njëjtin portal do të hidhen dhe kriteret që vendosin universitetet për studentët që do të pranojnë.
Duke bërë rakordimin mes kërkesës së universiteteve dhe të dhënave që kanë maturantët do të shpallen dhe fituesit. Veprim që pritet të përfundojë në gusht. Nëse në fazën e parë do të ketë sërish kuota të pa plotësuara, atëherë do të vijohet me listat zbritëse.
ma.me