Linja e re e interkonjeksionit të ri 400kv mes dy vendeve tona, Shqipëri – Kosovë, do të inaugurohet sot. Në ceremoninë e inaugurimit, e cila do të zhvillohet në orën 11:00 në Kashar të Tiranës, do të merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, raporton Koha.net.
Shtatorin e kaluar, derisa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, po inspektonte punimet në këtë projekt në pjesën e Kosovës, pati deklaruar se kjo linjë është ndër projektet më të rëndësishme për vendin.
“Linja e interkonjeksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri është një ndër projektet më të rëndësishme të fushës së energjisë pasi përfitimet e këtij projekti i tejkalojnë kufijtë e Kosovës”, pati deklaruar ministri Stavileci.
“E dimë që procesi i Berlinit është i konceptuar në dy shtylla: në atë të infrastrukturës dhe energjisë, ku Kosova merr pjesë me dy projekte.
Njëri prej tyre është kjo linjë e transmisionit Kosovë – Shqipëri, e cila i sjell shumë përfitime jo vetëm dy shteteve tona, por edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal”, tha Stavileci.
Ndërsa Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets pati thënë se studimet e fundit kanë treguar se energjia paraqet një nga pengesat kryesore për investime direkte të huaja në Kosovë.
Andaj, sipas saj, Gjermania që nga fillimi i bashkëpunimit me Kosovën është fokusuar në sektorin e energjisë dhe deri tani ka mbështetur këtë sektor me 150 milionë euro.
Ingrid Hengster, anëtare e Bordit të KfW pati thënë se interkonjeksioni është investimi më i madh i bërë në Kosovë deri më tani, të cilin Gjermania e ka mbështetur me hua përmes KfË dhe me të drejtë quhet edhe autostrada energjetike Kosovë – Shqipëri. (b.an)