Nën regjinë e Qëndrim Rijanit, “Shtëpia e Bernarda Albës”, një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore, do të rishfaqet në Hanin e Elbasanit në qytetin e Korçës. 27, 28 qershor 2016, ora 20:00, Hani i Elbasanit, Korçë“Shtëpia e Bernarda Albës”. Një shfaqje me përmasa dinamike që solli pas disa kohësh aktoren Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti, por dhe një kast të gjerë aktoresh femra. Kanë dominuar në sallën Shekspir duke interpretuar me shumë pasion, ritëm, fanatizëm dhe despotizëm ashtu siç do dhe vete shfaqja. Një vepër më se e suksesshme.
Ajo që ka karakterizuar procesbërjen e të gjithë dramës, që në fund është përcjellë si e tillë te publiku është harmonia mes brezash.
Aktorët kanë synuar pikë së pari të veshin lëkurën e brendshme të personazhit, të prezantojnë marrëdheniet dhe jo pozën. Një shfaqje që sjell grintën e një kasti femëror.
“Shtëpia e Bernarda Albës” e Garcia Lorkës ju bën pjesëmarrës në dramën e pasionit, pushtetit dhe mungesës së lirisë. 6 vajza në kërkim të pasionit erotik të ndrydhur. Një Bernardë, e obsesionuar nga konceptet e nderit dhe traditës. Një gjyshe e burgosur nga e bija. Në një ambient uji, vajzat ndjellin dëshirat seksuale. Bukuria korruptohet, sugjeron Lorka, në një ambient ku njerëzit nuk lejohen të shijojnë dhe përjetojnë pasionet e tyre.
Përkrah aktores Luiza Xhuvani interpretojnë dhe emra të tjerë si Roza Anagnosti, Erjona Kakeli, Adriana Tolka, Mirela Naska, Ermira Hysaj, Esela Pysqyli dhe Taulanta Jupi një kast e tërë femërore duke dominuar me personalitetin dhe grintën që i dhanë ngjarjes.