Monedha britanike ka shënuar sërish një rënie të fortë gjatë ditës së sotme në tregun vendas, pas zhvlerësimit më të madh ditor historik që pësoi të premten.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një paund u këmbye sot me 165.15 lekë, 6.78 lekë më pak se të premten.
Kjo është tkurrja e dytë radhazi, pasi paundi në tregun vendas ra me 8.05 lekë të premten, kur rezultatet e referendumit treguan se 52% e britanikëve kishin votuar për të dalë nga BE, duke tronditur tregjet dhe duke bërë që paundi në bursa të arrinte nivelet më të ulëta në 30 vite ndaj dollarit. Pasiguria në tregje bëri që zhvlerësimi i paundit të vazhdonte edhe sot në bursa, ndonëse me ritme më të lehta.
Ky është niveli më i ulët në tregun shqiptar që nga gushti 2013, kur një paund u këmbye me 164 lekë.
Ndryshe nga e premtja, kur euro rezistoi, gjatw ditës së sotme në tregun e brendshëm është zhvlerësuar ndjeshëm dhe euro, që ka zbritur në 137.14 lekë, 0.69 lekë më pak se në fund të javës së kaluar.
Ai që ka fituar nga gjithë kjo situatë është dollari, i cili është ngjitur në kuotën e 124 lekëve, duke vijuar forcimin e nisur që të premten.
Në bursat ndërkombëtare pasiguria vijon të mbetet e lartë dhe të paktën në afatin e shkurtër pritet që monedha britanike të qëndrojë e nënçmuar.
Financial Times paralajmëron se frika nga Brexit mund të bëjë që paundi të bjerë më tej në nivele të ulëta historike./Monitor/a.m.