Akti të pastër politik e ka quajtur Partia Socialiste incidentin e ndodhur në aeroportin e Romës, kur dhëndri i ish-kryeministrit Berisha akuzohet se goditi deputetin socialist Taulant Balla.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PS, deputeti Alfred Peza, duke dënuar aktin sipas tij kriminal e të paprecedentë në historinë e pluralizmit, i bëri thirrje PD të distancohet nga akti, Kuvendit të dënojë ngjarjen dhe policisë e prokurorisë të zbardhin të vërtetën e të dënojnë fajtorët.
“Incidenti i rëndë ndodhur në zemrën e kryeqytetit në të vendi anëtar të BE dhe dhuna ndaj ballës është akt i pastër politik për shkak të funksioneve dhe veprimtarisë politike por edhe për shkak të luftës pa kompromis dhe qëndrimeve politike që kolegu ka mbajtur ndaj krimit dhe korrupsionit. Goditja fizike ishte e parapërgatitur, e befasishme, e pabesë e kryer me koshiencë të plotë e një lufte të paprinciptë e familjes Malltezi-Berisha ndaj tij”- tha Peza.
Ai i bëri apel PD “të dënojë dhe të distancohet qartë e prerë nga ky akt i paprecedentë”, duke e quajtur atë “goditje edhe ndaj grupit të PS për të ulur ritmin e reformave të thella dhe për të frenuar luftën kundër krimit dhe kriminelëve”.
“PS i bën thirrje kuvendit të dënojë me ashpërsinë që meriton këtë akt kriminal dhe ti bëjë thirrje palës dhunuese ti thërrasë koshiencës politike për ta kthyer jetën e ballafaqimit mes palëve në hullitë e arsyes. I bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të angazhohen në proces hetimore, të paanshëm, në bashkëpunim me palën italiane për të zbardhur ngjarjen deri në fund dhe për ti dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”.
d.i.