Italia e Spanja do të ndeshen sot në orën 18:00 në Saint Denis për të përcaktuar skuadrën që do të vihet përballë Gjermanisë në çerekfinale. Sipas lajmeve nga Italia, trajneri Antonio Conte ka zgjedhur Florenzin në vend të të dëmtuarit Candreva, ndërsa De Sciglio është favorit për krahun e djathtë në vend të Darmian.
Del Bosque i Spanjës gjithashtu ka dilemën për të vendosur midis Nolitos e Kokes.
Gjyqtar i takimit do të jetë turku Cakir, një vendim që nuk është pritur mirë fillimisht nga italianët, për shkak të zemërimit që shpërtheu në Turqi kur të kaltrit u mundën nga Irlanda, çka solli skualifikimin e skuadrës së Fatih Terim.
Mbi italianët qëndron rreziku i skualifikimeve, pasi janë plot dhjetë lojtarë që kanë kartonë të verdhë: Buffon, Barzagli, Bonucci, Chiellini, De Rossi, Eder, Sirigu, Thiago Motta, Insigne e Zaza. Për Spanjën rrezikon vetëm Sergio Ramos.
Kjo është ndeshja e 35-të midis Italisë e Spanjës, me ekuilibër total, dhjetë fitore secila dhe 14 barazime.
Por, historia e viteve të fundit flet për iberikët. Në Euro 2008, Spanja kaloi me penallti pas barazimit pa gola. Në Euro 2012 skuadrat barazuan 1-1 në grup, për t’u ndeshur më pas edhe në finale, ku të kuqtë e Del Bosques shpartalluan të kaltrit 4-0.
Precedenti i fundit në favor të Italisë ka qenë në botërorin USA ’94, fituar 2-1, me gola nga Dino e Roberto Baggio.
Formacionet e mundshme:
ITALIA: Buffon; Barzagli, Bonucci, Chiellini; Florenzi, Parolo, De Rossi, Giaccherini, De Sciglio; Pellè, Eder.
SPANJA: De Gea; Juanfran, Piqué, Sergio Ramos, Jordi Alba; Fabregas, Busquets, Iniesta; David Silva, Morata, Nolito.
D.I.