Përparim Spahiu nuk do të jetë më deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Grupi Parlamentar i LSI-së, i mbledhur sot paradite, ka vendosur përjashtimin e deputetit, pas deklaratave të tij lidhur me Reformën në Drejtësi.
Dy ditë më parë, Spahiu u shpreh kundër vettingut të ndërkombëtarëve, për sa i përket Reformës në Drejtësi. Ai në këtë mënyrë shpalosi të njëjtin qëdrim si ish kryeministri Berisha dhe ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, të cilët janë deklaruar botërisht kundër vetingut nga ndërkombëtarët në sistemin e drejtësis.
“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE! Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!”, shkroi Spahiu.
Një deklaratë e tillë tani i ka kushtuar përjashtimin nga grupi parlamentar i partisë.
d.i.