Spanjollët votojnë për parlamentin e ri. Por shanset për qeveri të re janë po aq të komplikuara, si para një gjysmë viti, kur partitë spanjolle nuk arritën dot të krijonin një koalicion qeveritar.
Nuk mund të anashkalohet dot: spanjollët janë të lodhur me politikën. Pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2015, krerët partiakë nuk arritën dot të gjenin ujdinë për një koalicion. Sipas një sondazhi të Institutit Metroscopia për gazetën El Pais, vetëm 70% e votuesve iu drejtohen kutive të votimit të dielën (26.06). Nga refuzimi i elektoratit mund të përfitojë partia konservatore e kryeministrit provizor, Mariano Rajoy e partisë “Partido Popular“ (PP), sepse elektorati i kësaj partie është i angazhuar të votojë.
Cristiano është njëri nga votuesit që mendon të japë votën për konservatorët. 82-vjeçari është i bindur që prirja demografike nuk shkon në favor të partive tradicionale. “Të rinjtë duan të eksperimentojnë pak”, thotë ai. Por ata që janë mbi 60 vjeç duan rregull, prandaj votojnë PP-n, sipas tij. Kjo megjithëse partia qeverisëse përballet me shumë akuza për afera korruptive. Cristiano mendon se ka gjasa që politikanët e PP-së të jenë pasuruar, por këtë e bëjnë të gjithë politikanët, por po se qe fitojnë “komunistët”, ata do ta shkatërrojnë Spanjën, është i mendimit ai.
Protest kundër kursit të kursimeve
„Komunistët“ janë për të përkrahësit e partisë “Unidos Podemos“. Koalicioni i partive të majta që proteston kundër kursit të kursimeve të qeverisë dhe që shënon një rritje të dukshme të elektoratit, me shumë gjasa në renditje ky koalicion mund të zërë vendin e dytë. “Unidos Podemos“ është një kërcënim i vërtetë për partitë tradicionale. Megjithatë vetë drejtuesi i partisë, Pablos Iglesias konsiderohet si arrogant dhe kolerik, madje vetë votuesit e kësaj partie nuk e preferojnë atë.
Koalicioni i drejtuar kundër kursit të kursimeve kontrollon ndërkohë Madridin, Barcelonën dhe Valencian, tre qytetet kryesore spanjolle. Shumë simpatizantë të kësaj partie vijnë nga qyteti, janë të rinj dhe të shkolluar. Dizajnerin Flor, 55 vjeç thotë se do të “do të votoj për Unidos Podemos edhe pse nuk mund ta përfytyroj Pablo Iglesias si kryeministër spanjoll”. Flor dhe bashkëshorti i saj Leandro, të dy dizajner në Madridbesojnë se shumë të njohur do të votojnë për Podemos. “Shumë nga ne janë të orientuar nga e majta, por askush nga ne nuk do t’ia japë votën partisë socialiste, PSOE”, thotë Flor.
Partia Socialiste e Pedro Sanchez, PSOE ndeshet me krizën më të madhe prej disa dekadash. Për herë të parë që nga rikthimi i Spanjës në sistemin demokratik në vitin 1978, socialistët nuk renditen ndër partitë me më shumë votues. Shpresa e saj janë rajonet rurale si Andaluzia e Ekstremadura.
Votues progresistë, qeveri konservatore
Por pavarësisht se cila parti merr më shumë vota: E sigurtë është që asnjëra nga partitë apo koalicion nuk arrin të marrë 176 vende në parlament, të nevojshme për krijimin e qeverisë. Vështirësi përbën edhe marrëdhënia e vështirë mes tre politikanëve udhëheqës të partive kryesore (Rajoy, Iglesias und Sanchez), po ashtu edhe procesi i pavarësisë së Katalonjës, në konfigurim e sipër.
Antonio Barroso, zëvendësdrejtor i Institutit Studimor Teneo në Londër deklaron se votimet nuk kanë për “t’i bërë më të lehta“ bisedimet për krijimin e qeverisë. Për të rezultati më i mundshëm është një qeveri e PP e minorancës. Edhe analisti politik Carlos Santos nuk sheh shumë shanse për krijimin e një qeverie stabël mazhorance. Ai mendon se „megjithëse votuesit me shumicë votojnë majtas, shanset për një qeveri të orientuar nga e djathta janë më të mëdha.“/ Deutsche Welle