Shqipëria nuk do të mbetet asnjëherë pa spiunë, por këtë radhë do të jenë zyrtarë dhe për një qëllim të mirë, survejimin dhe denoncimin e korrupsionit në administratë.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar ligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Edhe pse është një ligj që ka shkaktuar mjaft debate dhe polemika, kreu i shtetit ka vendosur që të mos e kthejë për rishqyrtim.
Ligji do të hyjë në fuqi 25 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por efektet e tij do fillojnë nga 1 tetori 2016. Me anë të këtij ligji, individë të caktuar që punojnë në administratën publike dhe atë private do të jenë dhe spiunë për rastet e korrupsionit.
Në momentin që ata do të vërejnë një akt korruptiv apo antiligjor, do raportojnë pranë institucioneve kompetente. Atij do i ruhet anonimiteti dhe në raste të caktuara merr dhe mbrojtje nga shteti.
“Sinjalizimi bëhet me çdo mjet komunikimi, në formë të shkruar ose deklarohet verbalisht para ILDKPKI-së ose njësisë përgjegjëse dhe dokumentohet me shkrim prej tyre.
Sinjalizimi përmban të paktën: të dhënat e identitetit të sinjalizuesit; të dhënat e kontaktit të sinjalizuesit; përshkrimin e fakteve e të rrethanave të njohura nga sinjalizuesi për veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit, shoqëruar me provat përkatëse, për aq sa është e mundur; referimin përkatës në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, për aq sa është e mundur, nga sinjalizuesi, të veprës ose praktikës së dyshuar të korrupsionit”, thuhet në ligj.
Nderkohë përcaktohet se sinjalizuesi mund të zgjedhë të mbetet anonim dhe sinjalizimi pranohet, nëse në të janë shprehur qartë dhe janë arsyetuar shkaqet e anonimatit dhe të dhënat e sinjalizuara sigurojnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.
Sipas ligjit pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar, dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar, caktohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton administrativisht dhe shqyrton sinjalizimet, sipas këtij ligji.