Në kërkim nga policia e Qipros është Aleks Burreli, i cili arriti të largohej në kohë nga vendngjarja, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Jani Vogli, mbeti i vdekur.
Për dy shqiptarët, që dyshohet të jenë vrasës me pagesë, është marrë informacioni se kanë dalë nga Shqipëria më 7 maj të këtij viti dhe pas ndalesës në Stamboll, kanë udhëtuar drejt Qipros më 8 maj, ku janë takuar me porositësit e atentatit.
Nga të dhënat që u janë përcjellë homologëve qipriotë, dy shqiptarët nuk rezultojnë të jenë skeduar nga policia shqiptare për vepra penale.
48 – vjeçari Aleks Burreli shihet si personi kyç, që mund të japë të dhëna të vlefshme për hetimin e atentatit, ku mbeti i vrarë biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, dy miqtë e tij dhe shqiptari Jani Vogli.
Burreli mbeti i plagosur dhe frika është se ai mund të eleminohet për t’i mbyllur gojën, raporton Klan.
Nga ana tjetër, policia qipriote ka dyshime se 41 – vjeçari Jani Vogli, mund të jetë vrarë nga bashkatdhetari i tij, Burreli.
Kjo, pasi ekspertiza dëshmoi se dy policët që shoqëronin biznesmenin e vrarë, nuk i kanë përdorur armët e tyre.
Policia ende nuk ka saktësuar numrin e personave, që me fytyra të maskuara, mësynë të enjten në mbrëmje një restorant, në Agia Napa të Republikës së Qipros.
Ata hapën zjarr drejt tavolinës ku po darkonte biznesmeni vendas Fanos Kalopsidiotis, i moshës 51 – vjeç. Biznesmeni dhe një çift që ishte me të mbetën të vrarë, ndërsa dy persona të tjerë u plagosën.