Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot në Berat një kompani fasonerie, ekspozitën në muzeun e Onufrit dhe kishën e Shën Triadhes. 11 muaj më parë, firma e prodhimit të këpucëve “Mito” në Berat përfitoi 1000 m2 me qira 1 euro dhe nisi investimin prej 1 milionë eurosh për ambientet e reja të prodhimit. Vetëm në 6 muajt e këtij viti investoi 300 mijë euro në makineri të reja, duke përfituar edhe nga TVSH Zero për makineritë dhe pajisjet, incentivë kjo e qeverisë në mbështetje të prodhimit.
“Këtë investim e kemi kryer për 11 muaj. Aktualisht, fabrika punon 70% fason, cikël të mbyllur dhe 30% kemi dalë në tregun botëror me produktet tona. Kemi investuar në shumë makineri të reja. Fakti i përjashtimit të TVSH-së është një faktor goxha i rëndësishëm që na ndihmon ekonomikisht. Vetëm në periudhën janar-fundi i qershorit, ne kemi investuar gati 300 mijë euro në makineri, në teknologji. Përveç investimit të rikonstruksionit të objektit që e ka kaluar shifrën e 1 milionë euro,” – tha pronari i saj Kriton Prendi.
Edhe drejtuesit e këtij biznesi shprehin një shqetësim që e ndajnë dhe shumë sipërmarrës të tjerë. “Këtu punojnë 488 punëtorë. Paga minimale është 22 mijë lekë në dorë, plus sigurimet shoqërore, paga maksimale 70-80 mijë lekë në dorë, plus sigurimet shoqërore. Nuk jemi me kapacitet të plotë prodhimi, pasi kemi bërë kërkesë, por fuqia punëtore mungon. Nuk e kemi problem kualifikimin, i kualifikojmë vetë.”
“Mito” prodhon për markat më të njohura ndërkombëtare, si dhe ka dalë në tregun botëror me markën e saj “Caterina Firenze”. Produktet e saj janë prezente në tregun europian, amerikan dhe aziatik. Kapaciteti i saj prodhues është në 2500 palë këpucë në ditë.
“Pika jonë e fortë, – u shpreh sipërmarrësi – është fakti se dalin në tregun botëror sot, me një produkt shqiptar kompetitiv, sepse duke pasur mundësinë të jemi me një kosto më të ulët se partnerët europianë, kjo na favorizon.”
Synimi i firmës është edhe ngritja e një shkolle profesionale, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për përgatitjen e teknikëve dhe modelistëve jo vetëm për prodhimin fason të këpucëve, por edhe atë të veshjeve.
Muzeu Ikonografik Onufri, i përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në Kalanë e Beratit, është një destinacion atraktiv kulturor, i cili i është nënshtruar restaurimit dhe rikonceptimit të mjediseve, si dhe është pasuruar me objekte të reja.
Salla e re e ekspozimit, tërësisht e restauruar, e çelur një muaj më parë, si dhe mundësimi i një audioguide në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe italisht, janë risitë që muzeu ofron për turistët dhe vizitorët, gjithnjë e më të shumtë në numër, nga 7400 në vitin 2013, në rreth 25 mijë turistë në vitin 2015.
Koleksioni ikonografik është pasuruar me 20 ikona, të cilat u nxorën nga errësira e depove të lëna në harresë dhe u restauruan, për t’iu bashkangjitur 173 objekteve ekzistuese, ikona dhe objekte të tjera liturgjike dhe shërbese. Veprat u përkasin piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut, Çetirët dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vizitoi mjediset e Muzeut dhe u takua me drejtuesin e Muzeut, i cili informoi mbi punën e realizuar aty: “Ka pasur një fond prej 173 objektesh, ikona dhe objekte të tjera liturgjike dhe shërbese. Sot, pas përpjekjeve që kemi bërë së bashku për pasurimin e fondit me 20 objekte të tjera të gjitha të dorës së parë, ka 193 objekte. Jemi në pjesën, e cila është përshtatur për ekspozitën për vendosjen e koleksionit të Muzeut Onufri. Janë ikona që datohen nga shekulli i 14, deri në fund të shekullit të 19.”
Ai u shpreh ndër të tjera se ekspozita e çelur është një konceptim i ri dhe modern. “Me koncepte të reja dhe një lloj dashamirësie, konceptuam këtë ekspozitë, të cilën e konceptuam gati një muaj më parë me kushte shumë të mira, ndriçim led, i cili nuk shkon më shumë se 700 vat, me ndriçim pjesërisht të personalizuar.” Ndërsa Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro u shpreh se objektet e ekspozuara për herë të parë për publikun, kanë një vlerë të madhe kulturore, por që fatkeqësisht ishin lënë prej vitesh në errësirën e depove.
“Ne gjetëm këtu në magazinat e Drejtorisë Rajonale një sasi shumë të madhe ikonash. I morëm dhe pastruam, depon e kthyem në laborator restaurimi. I morëm restauratorët në punë se i kishin hequr dhe në këto dy vite kemi nxjerrë rreth 20 objekte ikona, të cilat janë restauruar nga e para dhe shfaqen për herë të parë për publikun në pavionin e ri të muzeut.”
Pas më shumë se 36 vitesh, nga ndërhyrja e fundit restauruese, në Kishën e Shën Triadhës në Kalanë e Beratit, ka përfunduar rikonstruksioni i jashtëm i saj dhe i çatisë së kupolës. Ky monument i rëndësishëm kulturor i cili daton në fund të shekullit të XIII, fillimit të shekullit XIV, iu nënshtrua një projekti restaurues të studiuar dhe miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Struktura e mëparshme me tjegulla të vjetra bizantine, e thyer dhe dëmtuar në pjesën më të madhe të saj, lejonte depërtimin e ujërave sipërfaqësore në kupolë, duke sjellë në këtë mënyrë degradimin e afreskut në pjesën e brendshme.
Me restaurimin e bërë, dhe materialet cilësore të përdorura për këto ndërhyrje, çatia e kupolës së kishës është tërësisht e rindërtuar dhe e mbrojtur, duke ruajtur në të njëjtën kohë elementët origjinalë të pamjes së saj. Paralelisht ka përfunduar hartimi i projektit të konsolidimit të afreskeve në pjesën e kupolës dhe në pjesën rreth tamburit cilindrik. Ndërsa pas miratimit të projektit të specialistëve të sektorit të artit do të nisë puna edhe për konsolidimin e pikturës murale në këtë monument me vlera të rralla për trashëgiminë tonë kulturore.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vizitoi Kishën e Shën Triadhës dhe mjediset e brendshme ku po vijon puna restauruese.
Ministrja Kumbaro u shpreh se Kisha e Shën Triadhës, deri dje e lënë në harresë të plotë, me restaurimin e bërë, ofrohet më tërheqëse për turistët.
“Jemi në fund restaurimeve të kishës së Shën Triadhës, e cila që në fillim të viteve ‘70 nuk ka njohur asnjë ndërhyrje. Ishte në një gjendje që pa frikë mund të themi se kishte mbirë pema brenda dhe kishte dalë mbi çati. Drejtoria rajonale e Beratit, pasi bëri konsolidimin e mureve të kalasë -dhe jemi duke vazhduar dhe në fronte te tjera,- ka mbaruar sot restaurimin e plotë të Kishës, së kupolës, së strukturës, duke bërë vërtetë një restaurim model edhe nga pikëpamja cilësore, por edhe duke tërhequr gjithmonë e më shumë turistë. Ndërkohë kemi gati edhe projektin e restaurimit të pikturës murale. Për shkak të neglizhencës për dekada të tëra, përgjithësisht pikturat murale janë goxha në gjendje të rëndë, por të paktën kemi frenuar lagështirën, kemi restauruar muret e jashtme dhe tani vazhdon puna brenda.”
ma.me