Kombëtarja e Shqipërisë është shquar për lojë ekipore dhe angazhim të madh në ndeshjet e fazës së grupeve të “Euro 2016”, por statistikat e publikuara të premten në uebfaqen zyrtare të UEFA-s, tregojnë diçka tjetër.
Në bazë të këtyre statistikave, del se Shqipëria është ekipi që ka vrapuar më së paku nga të gjitha ekipet pjesëmarrëse në fazën e grupeve të “Euro 2016”.
Shqipëria është eliminuar nga “Euro 2016”, pasi fazën e grupeve e ka mbyllur në pozitën e tretë të Grupit A, me vetëm tri pikë të mbledhura.
Në tri ndeshjet e zhvilluara në kuadër të Grupit A, Shqipëria ka vrapuar në total 286.7 kilometra. Kjo i bie që ekipi shqiptar ka vrapuar mesatarisht 95.5 kilometra për ndeshje apo që një lojtar i saj ka vrapuar mesatarisht 8.6 kilometra për ndeshje.
Përfaqësuesja e Italisë është ekipi që ka vrapuar më së shumti në fazën e grupeve të “Euro 2016”. Skuadra e Antonio Contes gjatë tri ndeshjeve ka vrapuar 337.1 kilometra në total apo 112 kilometra për ndeshje./a.m.