“Xhaka nuk do të largohet nga Kombëtarja shqiptare”, kështu ka thënë babai i Taulantit. Gjatë ditës së premte u raportua se në kampin kuq e zi nuk qëndrojnë gjërat aspak mirë mes trajnerit De Biasi e lojtarëve si Taulant Xhaka e Shkëlzen Gashi. Taulanti Xhaka u pa tejet i nervozuar në ndeshjen e parë të Euro 2016 në momentin e zëvendësimit, duke hedhur shishen me uji, diçka që thuhet të mos i ketë pëlqyer De Biasit.
Ai i ka thënë Gazetës Express se këto janë vetëm thashetheme dhe se Xhaka do të vazhdojë të luajë për Shqipërinë. “Gjithçka që është shkruar është e pavërtetë. Taulanti nuk është përleshur me De Biasin, derisa për Gashin nuk mund të them asgjë sepse nuk e di”, ka thënë Ragip Xhaka për Gazetën Express.
“Taulanti është nervozuar kur trajneri ka vendosur që ta heq atë nga loja në ndeshjen ndaj Zvicrës – diçka që pasoi me gjuajtjen e shishes së ujit. Ai dëshironte që të luajë gjithë ndeshjen kundër vëllait të tij, Granitit dhe nervozizmi ishte normale aty”, shtoi babai i Xhakës.
“Unë mendoj se Taulanti është lojtari kyç në mesfushën e Kombëtares dhe është i vetmi që ka dhënë gjithçka për këtë ekip. Kuptohet se nuk e ka pritur aspak mirë atë vendim, por nuk është e vërtetë se do të largohet nga Kombëtarja dhe se është përleshur me trajnerin. Nuk do ta braktisë kombëtaren”, shtoi Xhaka.
“Taulanti nuk luajti në ndeshjen e fundit pasi ishte i sëmurë. Ai qëndroi i shtrirë për tre ditë duke mos u stërvitur fare. Unë ende nuk e kamë parë Taulantin. Ai gjatë ditës së shtune do të vij në Zvicër dhe do të qartësohet kjo që shkruhet, por unë e përsëris sërish se asgjë nuk është e vërtetë”, përfundoi Ragip Xhaka në një bisedën telefonike për Gazetën Express.