Pritja që i bënë shqiptarët kombëtares në Tiranë dhe ceremonia zyrtare e organizuar nga institucionet shtetërore, zuri një vend të madh edhe në mediat ndërkombëtare.
Rrjeti amerikan ESPN shkruan se skuadra u prit me një tapet të kuq dhe ceremoni zyrtare pas kthimit nga Franca, ku mori pjesë për herë të parë në një evropian. Më pas ESPN ndalet te ceremonia në bashki, Ministrinë e Jashtme dhe në Kryeministri.
Në Angli, Daily Mail ndalet te nderimi që iu bë djemve dhe stafit të skuadrës nga Bashkia me Çelësin e qytetit të Tiranës. Daily Mail e vë theksin te goli i shënuar ndaj Rumanisë dhe fitorja e arritur në ndeshjen e fundit, duke e cilësuar si pozitive këtë eksperiencë për kuqezinjtë, ndërsa thekson se emrat e heronjve shqiptarë do të gdhenden edhe në një pllakatë në hyrjen e stadiumit të ri.
Televizioni publik britanik, BBC, shkruan se pavarësisht eliminimit që në fazën e grupeve, shqiptarët i pritën si heronj lojtarët e kombëtares. Në vijim, BBC ndalet te deklarata e trajnerit të kombëtares, Gianni De Biasi, sipas të cilit, bota do ta marrë më seriozisht skuadrën shqiptare pas këtij europiani.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe versioni italisht i faqes së specializuar Goal.com. “Shqipëria besoi për disa ditë, por më pas iu dorëzua eliminimit, e dënuar nga rezultatet e ndeshjeve të tjera. Gjithsesi, asgjë nuk mund ta zhvlerësojë arritjen e djemve të De Biasit, të cilët u larguan me kokën lart nga Franca ku arritën fitoren e parë në një europian”, thekson ndër të tjera Goal.com.