Kancelarja gjermane Angela Merkel ka reaguar pas votimit të britanikëve për daljen nga Bashkimi Evropian. Merkel mbajti një konferencë të posaçme për mediat ku deklaroi se vendet anëtare të unifikuara do të vijojnë rrugën e tyre të përbashkët drejt forcimit të sigurisë dhe politikave të mbrojtjes. Merkel tha se vendet do të marrin vendimet e duhura pas largimit të Britanisë për të çuar përpara projektin evropian.
“Të gjitha vendet e BE do përpiqen të mos tregohen të nxituar sa i përket hapave të mëtejshëm. Do të jemi të bashkuar në mënyrë që të marrim vendimet e duhura. Do të përpiqemi se si të përmirësojmë jetesën e të gjithë qytetarëve të BE, dhe kjo jo vetëm të BE por në favor të gjitha vendeve anëtare, të ndara nga njëra-tjetra. Vendet individuale duhet të përballen tashmë me këtë sfidë, sidomos sa i përket sfidës ekonomike. Pra BE do të vijojë hapat e mëtejshëm sa i përket ekonomisë, është shumë e rëndësishme të jemi të gjithë të bashkuar, të vijojmë të mbajmë vlerat tona, në mënyrë të garantojmë interesat tona të politikës së jashtme, të politikës së mbrojtjes, të vazhdojmë siç kemi qenë më parë. Duhet të nxjerrim konkluzionet tona sa i përket daljes së Britanisë nga BE. Uniteti i BE, ideja e unitetit është ideja e paqes, kjo është më e rëndësishmja”, tha Merkel.
Më tej ajo shtoi se BE gjithsesi do të bashkëpunojë ngushtësisht me Britaninë edhe pas daljes së saj nga unioni.
“Me gjithë daljen e Britanisë, ne do të bashkëpunojmë ngushtë me BE. Ne gjejmë rrugën se si do veprojmë pas daljes së Britanisë nga BE”, tha Merkel./a.m.