Në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit, mjekët japin dhe këshillat për të gjithë qytetarët, për t’u treguar të kujdesshëm me daljen në diell, por edhe me konsumimin e ushqimeve.
Mjekët theksojnë se duhet të shmangen daljet në orët e pikut, 11.00-17.00, ndërsa duhet të bëhet kujdes me fëmijët dhe të moshuarit. Kujdes të veçantë, sipas mjekëve, duhet të tregojnë të sëmurët kronikë. Për të eliminuar problemet nga tempraturat e larta, këshillohet shmangia e ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, mbrojta e pjesëve të rëndësishme të trupit përmes kapeles dhe rrobave të lehta, përdorimi i kremërave mbrojtës, konsumimi me shumicë i ujit dhe lëngjeve të tjera gjatë ditës (më shumë se 2 litra lëngje në ditë), moskonsumimi i pijeve alkoolike, etj.
Por, sipas tyre vëmendje e veçantë i duhet kushtuar dhe kujdesit për ambjentet e brendshme, të cilat duhet të jenë sa më freskëta dhe që duhet të ajrosen gjatë mëngjesit e darkës. Sipas specialistëve të shëndetit publik, “krahas goditjeve nga dielli për rastet e ekspozimit direkt në diell, ka dhe goditje nga nxehtësia në shtëpi, zyrë, ambiente ku punohet, ku temperatura e madhe, duke u bashkuar me lagështirën, jep goditje nga nxehtësia”.
Specialistet këshillojnë rregullimin e temperaturës mes ambientit të brendshëm dhe të jashtëm dhe në veçanti për ata që punojnë në mjedise me kondicioner. Sipas tyre, gjatë ditës, dritaret mbahen të mbyllura, ndërsa ajrosja e shtëpisë është e rekomandueshme të bëhet në orët e para të mëngjesit .
“Nuk duhet të ketë diferencë të madhe mes temperaturës së ambientit brenda, me atë jashtë”, pohojnë specialistët, sipas të cilëve, në kushtet e përdorimit të kondicionerit nuk duhet të ketë diferencë më shumë se 5 gradë me ambientin jashtë.
Vëmendje e veçantë, sipas mjekëve, duhet t’i kushtohet konsumimit të ujit të sigurt dhe ushqimeve. Ndërsa është i rekomandueshëm konsumimi me shumicë i frutave dhe zarzavateve, të cilat duhet të lahen me ujë të pastër dhe të bollshëm përpara përdorimit. Mjekët thonë se frutat dhe perimet nuk duhet të mungojnë në tryezën e gjithsecilit në stinën e verës, për një ushqyerje sa më të shëndetshme. Pjata e parë në tryezë gjatë kësaj stine duhet të jetë sallata me perime, ndërsa është e këshillueshme të mos konsumohen ushqime që rëndojnë shëndetin. (java / r.a)