Deputetja e Partisë Socialiste, Ledi Shamku ishte e vetmja që abstenoi dje në Parlament miratimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi. Marrëveshja u miratua me 109 vota pro, ndërsa deputetja Shamku ka sqaruar pas votimit se përse mbajti këtë qëndrim në seancë.
“Marrëdhënie model mes Shqipërisë dhe Malit të Zi?! Pa m’kallxoni shtetarët e mi, ku e shihni modelin? Te fjalori fyes? Te fakti që Shqiptarët e Shqipërisë dje u gjobitën nga Gjykata Malazeze me 230 euro për ‘fajin’ se po ktheheshin nga Franca duke kremtuar me flamur shqiptar në makinë, dhe sipas gjykatësit penal malazez paskan ‘shqetësuar’ turistët e Budvës? Te fakti që nuk kemi më asnjë ministër shqiptar në qeverinë malazeze? Ku e shihni modelin, o shtetarët e mi?”, – shkroi, pas Kuvendit, në rrjetin social, “Facebook”, deputetja Shamku.
Ratifikimi i protokollit u miratua dje, edhe në prani të kryeparlamentarit malazez Darko Pajoviç. Por në një prononcim edhe për “TCH” ajo sqaroi më tej votën abstenim duke deklaruar se “e drejta për të respektuar Kushtetutën, që më detyron mua të mbroj të drejtat e pakicave të mia jashtë kufijve është e drejtë themelore që duhet zbatuar. Aleanca e NATO-s ka kuptim nëse brenda kësaj aleance jemi vërtetë aleatë. Në rastin e Malit të Zi pyes veten se si do të shkojnë sup më sup një ushtar shqiptar nga Ulqini dhe një ushtar malazez, kur në Mal të Zi të drejtat e shqiptarëve shkelen”, – ka deklaruar Shamku.
Megjithatë, deputetja socialiste shpjegoi se nuk është kundër aderimit të Malit të Zi në NATO, por se duhet të respektohen të drejtat e shqiptarëve. Pas votimit te protokollit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke uruar vendin fqinj për këtë moment të rëndësishëm, nënvizoi se “shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë mikpritjen që Milo Gjukanoviç u dha shqiptarëve të dëbuar nga gjenocidi serbomadh në vitet 1998-99. Ndërsa njohjen e Kosovës, Mali i Zi e ka mirëpritur duke e votuar me unanimitet”, – tha Meta.
Nga ana tjetër, deputetja e PS-së, Arta Dade, njëherazi kryetare e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO kontribuon fuqishëm në stabilitetin e rajonit dhe bashkëpunimin e ngushtë rajonal. “Për çdo vend anëtar të NATO-s përmbushja e standardeve është një element i rëndësishëm në avancimin për anëtarësim në Bashkimin Europian”, – u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, njëherazi ish-ministër i Jashtëm, e konsideroi këtë moment një ngjarje historike për Malin e Zi, por dhe për gjithë rajonin. “Siguria e Ballkanit, – tha ai, “buron nga angazhimi i NATO-s në rajon. Gjithashtu”, – nënvizoi Bumçi, “anëtarësimi në NATO do të konsolidojë respektimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rolin e madh të tyre në stabilitetin e vendit fqinj”. Ky dokument i rëndësishëm i aleancës, i nënshkruar më 19 maj gjatë Ministerialit të Jashtëm të NATO-s, pritet të ratifikohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare dhe nga parlamenti malazez. Kjo do t’i hapte rrugën pranimit të Malit të Zi, si anëtari i 29-të i organizatës më të madhe ushtarake në botë./BW/a.m.