Java/Antropologu i njohur shpjegon te Javanews sesi po deformohet Kanuni në vend, por edhe mënyrën e keqe të interpretimit të tij ndër studiues, një arsye e pakuptueshme për të, kur mendon se deri në Japoni ka përpjekje për interpretimin e tij. Ai përdoret për show, ndërsa përgjigjet që mund të marrësh sot për Kanunin në popull janë zhgënjyese, thotë ai. Kurse Gjin Marku mendon se veç politikës dhe medias që është fajtore për interpretimin e tij, një faj të madh ka administrata e sotme tejet e dobët…
Nga Ben Andoni
E ka tejkaluar humorin ajo që u dëgjua në media nga i ati i vajzës që provokoi kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë. Ai kërcënoi me Kanun (!), sepse familja e tij ishte në syrin e ciklonit, pas asaj që kishte bërë vajza e tij. Në fakt, në atë mjedis të çuditshëm ku u fut e bija, një viktimë e epsheve të bashkiakut, kanuni nuk mund të kishte lidhje, por kjo kontratë sociale është për֛çudnuar kaq shumë saqë apo përdoret kot-më-kot si varkë shpëtimi dhe atëherë kur s’duhet.
“Edhe në kohën kur Kanuni ishte në kulmin e autoritetit ligjor dhe moral dhe vepronte, pra edhe në atë rrethana socio-antropologjike, lypsej interpretim i rasteve. Gjyqet që zhvilloheshin kishin akuzën, dëshmitarët e akuzës dhe ata të personit që kryente krimin. Të tillë ata quheshin besarët”, shprehet antropologu Përparim Kabo.
Në një botë kaotike ku jetojmë dhe pa shumë rregulla loje në këtë cep të vogël të saj, që quhet Shqipëri, kjo kontratë e madhe sociale mundi të vinte kohë më parë pak rend në kaotizmin shqiptar. Anipse, kurresi sot.
Koha provoi se atje ku ai funksiononte me gjithë varfërinë, njerëzit kishin një strehë virtuale, e cila ishte e fortë mu ku disa nene të tij kishin pushtet absolut mbi banorin e thjeshtë. Në fakt, ishte testuar shumë kohë më parë dhe në vende të tjera të Ballkanit, dhe ajo vendoste një rregull, por edhe kërkonte rregull përmes gjakut. Handikapi i tij më i madh ishte se gjaku nuk pushonte, por për këtë antropologët nuk na ndijnë dot, sidomos në kohën tonë. “Përçudnimi në vijimin shekullor ka ardhur, e para: se në zona të thella ruhet si mentalitet, si një lloj traditë që duhet të bashkëjetojë me atë nivel të zhvillimit juridik dhe civil që ka mbërritur atje në ato hapësira antropologjike, si të thuash një bashkëjetesë shekujsh brenda ndërgjegjjes antropologjike, jehonat e të shkuarës dhe realiteti konkret. Një arsye e dytë mendoj është mungesa e kujdesit shkencor për trashëgimin, që i ka lënë vendin ose lavdërimit folklorik gati fetishizues, ose heshtjes injoruese që karakterizon institucionet, që kanë detyrimin të merren me të”, shprehet Kabo.
Teksa Gjin Marku Kryetari i Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar mendon se përveç politikës dhe medias që e kanë shpërdoruar kuptimin e vet edhe administrata e sotme është krejt e paaftë jo thjesht për ta kuptuar por edhe për ta interpretuar si duhet në ditët tona, duke theksuar se administrata e komunizmit dinte shumë më tepër ta vlerësonte dhe ta përdorte atë madje me tejet efikasitet. “Një nga këto faktorë është mungesa e interpretimit të saktë të tij nga mediat dhe politika, veçanërisht nga administrata shtetërore që nuk e kupton se interpretimi i drejtë i kanunit është në dobi të mirë-qeverisjes duke predikuar aplikimin e zakoneve të mira në shërbim të punëve të përbashkëta në komunitet. Ato i aplikonte me shumë sukses Administrata ish- komunistë edhe pse i interpretonte këto zakone në shërbim të realizimit të ideve e programeve të veta publike zhvillimore duke siguruar mbështetjen e qytetarëve. Interpretimi i drejtë i zakoneve, që i shërbejnë rregullit, paqes, zgjidhjes së problemeve në mënyrë të drejtë, bashkëjetesës e mirëqenies së komunitetit është domosdoshmëri për vendin dhe mirëqeverisjen e tij”, shprehet Gjin Marku.
Antropologu Kabo i pyetur nga Java jep këto dy përgjigje tepër të thukëta:
Në konceptin tuaj, pse ende abuzohet kaq shumë me Kanunin në Shqipëri, nga organizata, faktori i huaj dhe sidomos individët?
“Keqkuptimi me Kanunin është në gjykimin tim një qasje shumëplanëshe…por që në thelb ka mosnjohjen e tij në thelb në strukturë dhe në nënshtresat e tij kulturore. Unë druaj të them por kam frikë se nëse kryhet një intervistim masiv brenda normave, që lyp kjo formë referendare e përthithjes së opinionit; me siguri do kemi përgjigje zhgënjyese. Pak për të mos thënë as pak e njohin, e kanë lexuar dhe tek e pasmja studiuar atë. Edhe në kohën kur Kanuni ishte në kulmin e autoritetit ligjor dhe moral dhe vepronte, pra edhe në atë rrethana socio-antropologjike, lypsej interpretim i rasteve. Gjyqet që zhvilloheshin kishin akuzën, dëshmitarët e akuzës dhe ata të personit që kryente krimin. Të tillë ata quheshin besarët. Kohët e fundit po lexoj interpretimet e gjakmarrjes sipas Kanunit në shënimet dhe interpretimet e studiuesit polak Marcin Czerminski, i cili ka udhëtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX në veriun e Shqipërisë, prift katolik që shquhet për një qetësi në drejtpeshimin e fakteve dhe realiteteve të kohës. Rast pas rasti gjejmë të gjithë ritualin kanunor që vlen si një aspekt procedural në zbatimin e tij.
Në ditët tona mosgjetja e drejtësisë(realisht) ose moskënaqja me drejtësinë juridike të dhënë hap shtegun për vetëgjyqësinë, shpagimin e verbër dhe marrjen e gjakut. Çështja më e ndjeshme është në rastet e vrasjes me pasojë vdekjen. Kanuni e zgjidh gjakun me gjak, ligja nuk njeh dënimin me vdekje. Shumë OJF pa kulturë mbajnë një ngjyrë gri të realitetit me qëllim që të përthithin fonde. Ndërsa ka të huaj , që janë të huaj me Shqipërinë dhe Shqiptarët dhe trajtimi tyre si primitiv dhe kanunor është një qëllim i keq i paracaktuar”.
Pse në një zakon disa shekullor është transformuar kaq përçudnueshëm në kohën ku jetojmë?
“Përçudnimi në vijimin shekullor ka ardhur, e para: se në zona të thella ruhet si mentalitet, si një lloj traditë që duhet të bashkëjetojë me atë nivel të zhvillimit juridik dhe civil që ka mbërritur atje në ato hapësira antropologjike, si të thuash një bashkëjetesë shekujsh brenda ndërgjegjes antropologjike, jehonat e të shkuarës dhe realiteti konkret. Një arsye e dytë mendoj është mungesa e kujdesit shkencor për trashëgimin, që i ka lënë vendin ose lavdërimit folklorik gati fetishizues, ose heshtjes injoruese që karakterizon institucionet, që kanë detyrimin të merren me të. Si ka mundësi që studiues të huaj deri në Japoni merren me Kanunin me studimin e tij dhe japin interpretime, ndërsa këtu tek ne, nuk ndodh që të realizohen punime të tilla që në gjykimin tim nuk do të ishin thjesht udhë-njohje, por mbi të gjitha mundësi për të kuruar sjelljen antropologjike, p.sh. disa nga çështjet që mund të studiohen:
-E drejta juridike në Kanun
-E drejta Romake dhe ajo juridike Kanunore qasje dhe dallime
-Autoriteti ligjor dhe etik në Kanun-raportet me kuptime të tilla filozofike që nga Makiaveli Hobsi, Spinoza dhe Lock-u..
-Subjektiviteti në interpretimet procedurale kanunore.
-Kuptimi për të drejtën e jetës në Kanun
-Raporti mes të drejtës fetare dhe asaj kanunore në çështjen e të drejtës së jetës..etj., etj., etj…”.
***
Kanunin, në socializëm dinin ta shfrytëzonin më mirë!
Gjin Marku, Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, përgjigjet se janë disa fakte që e shkaktojnë të gjithë këtë kakofoni zërash në ditët tona, sa i përket Kanunit…
Janë shume faktorë që nxisin deformimin e Kanunit, sipas tij.
“Një nga këto faktorë është mungesa e interpretimit të saktë të tij nga mediat dhe politika, veçanërisht nga administrata shtetërore që nuk e kupton se interpretimi i drejtë i kanunit është në dobi të mirë-qeverisjes duke predikuar aplikimin e zakoneve të mira në shërbim të punëve të përbashkëta në komunitet. Ato i aplikonte me shumë sukses Administrata ish- komunistë edhe pse i interpretonte këto zakone në shërbim të realizimit të ideve e programeve të veta publike zhvillimore duke siguruar mbështetjen e qytetarëve. Interpretimi i drejtë i zakoneve, që i shërbejnë rregullit, paqes, zgjidhjes së problemeve në mënyrë të drejtë, bashkëjetesës e mirëqenies së komunitetit është domosdoshmëri për vendin dhe mirëqeverisjen e tij. Qytetarët që emigrojnë e kuptojnë më mirë e më drejt këtë gjë sepse kuptojnë se kultura ligjore në perëndim është bërë zakon i jetës së qytetarëve.
Së dyti, mungesa e dhënies së drejtësisë e degjenerimi i saj para opinionit qytetar është një faktor tjetër që jo vetëm sjell aplikimin e vetëgjyqësisë e hakmarrjes barbare por edhe humbjen e shpresës tek e ardhmja duke stresuar në shkallë të lartë shoqërinë shqiptare që degjeneron në krime e veprime pa kontroll.
Një tjetër faktor është radikalizimi me budallallëk i besimit mysliman dhe predikimi i Sheriatit në shumë zona të besimit mysliman. Mendoj se edhe ai keqinterpretohet dhe i mvishet kanunit pa sens, me qëllim të keq në shumë ambiente shqiptare.
Varfëria e injoranca e shumë familjeve shqiptare bën që të lindin lloj-lloj interpretimesh vetjake, brenda familjes e në debate kolektive pa sens që janë në të kundërt me Kanunin”./ Javanews