“Nuk di nëse po i afrohemi apo largohemi reformës në drejtësi, por jam i bindur se drejtësisë po i largohemi më shumë se kurrë”, deklaroi në krye të fjalës së tij në Kuvend deputeti socialist Ben Blushi. “Është pala mazhoritare, me të cilën s’po kërkojmë konsensus. Me ata që po rropaten çdo ditë, i janë marrë pronat, kanë vuajtur, absolutisht s’po i pyesim për reformën në drejtësi. Rilindja asnjë ditë nuk i ka përfaqësuar të varfrit e Shqipërisë, as ata që iu merren të drejtat çdo ditë. Edhe nëse do ketë konsensus për reformën, populli nuk do pyetet, interesat e tij nuk do mbrohen në këtë parlament”.
Nëse arrijmë të bëjmë reformën në drejtësi, produkti do të jetë i panjohur. Në 18 muaj askush nuk u përpoq t’ia shpjegonte shqiptarëve se çfarë është reforma në drejtësi. Në të kundërt kemi krijuar një sistem që është rrethuar nga flakë rrënimi. Përdorni ca fjalë BKH, KLP, SPAK, BKGJ, që pyesni çdo shqiptar e s’besoj se i dinë pjesa më e madhe e shqiptarëve këto. Kjo reformë nuk do mbrojë të varfrit, por do mbrojë interesa të pak personave.
Thoni që po presin ndërkombëtarët, por mirë këta mezi po presin siç thoni ju. Por shqiptarët? Çfarë presin? Po ata s’po kuptojnë asgjë. sepse kësaj klase politike i mungon themelorja, nevoja për të pyetur popullin, çfarë do, si e do dhe pse e do. Dhe kjo reformë, jo vetëm që nuk i delegon asnjë kompetencë popullit shqiptar, por nuk i informon fare. Në Amerikë, prokurorët i zgjedh populli. Nuk po them të votohet nga populli, por kjo do të ishte një reformë. Prokurorët s’do ia jepni popullit asnjëherë, se e keni bërë një pakt për këtë, por nuk i dhatë asnjë person (që ta zgjedhë populli).
Hajt t’ia japim Presidentin popullit. T’ia kthejmë Presidentin popullit, ta zgjedhë ai. Ka të drejtë ta bëjë këtë. Çështja e kësaj reformë është si t’i japim apo jo kompetenca popullit shqiptar. Asnjë kompetencë s’po u jepet, por po u merren. I lihet popullit e drejta të zgjedhë partitë, dhe partive u lihet të zgjedhin për çdo gjë, madje të zgjedhin edhe vetë popullin. Se janë larguar mijëra shqiptarë për këtë situatë”, tha deputeti Blushi.
Reagon Xhafaj
Fatmir Xhafaj ka reaguar në përgjigje të deklaratës së Ben Blushit se në 18 muaj nuk është asnjë shpjegim për Reformën, duke i sugjeruar të lexojë draftin.
“Janë bërë rreth 50 tryeza publike për të shpjeguar reformën me tryeza me jo më pak se 250 pjesmarrës. Përsa i përket propozimit tuaj është e drejta juaj dhe ne e kemi propozuar këtë gjë. Nuk është mandati i këtij komisioni edhe për çështje të treja kushtetuese që kanë nevojë për tu parë, ky komision ishte vetëm për reformën dhe e ka përmbushur më së miri këtë detyrë”.
d.i.