Edhe pse kryeparlamentari Meta pretendon për marrëdhënie të mirë, autoritetet malazese kanë vepruar ndryshe. Katër tifozëve shqiptarë, të cilët po ktheheshin nga Franca, 230 euro u ka kushtuar fakti që në automjetin e tyre kishin të stampuar flamurin kombëtar. Policia i ka detyruar që ta heqin flamurin dhe, pasi kanë paguar edhe gjobën që u vendosi gjykata, janë lënë të lirë.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin bregdetar të Budvas.
Sipas të përditshmes “Vijesti”, ka qenë ky vendimi i gjykatësit për vepra penale i cili e ka cilësuar si provokim ndaj turistëve flamurin e Shqipërisë të stampuar në automjetin e tyre.
Sipas kësaj medie, këta shtetas të cilët gjatë udhëtimit për në vendlindje nga kampionati evropian që po mbahet në Francë, janë ndalur në Budva.
Dëshmitarët okularë janë shprehur se në automjetin e tyre tip Golf, në pjesën e përparme të mjetit dhe në pjesën e bagazhit ka qenë i stampuar flamuri i Shqipërisë. Dhe se gjatë kalimit nëpër Budva ata kanë kënduar dhe kanë shkaktuar zhurmë.
Pas njoftimit në policinë lokale të Budvas kjo e fundit ka ndaluar mjetin tip golf në të cilin ishin katër shtetas dhe kanë bërë shoqërimin e tyre për në Komisariatin e Budvas. Pas vendimit të gjykatësit dhe kryerjes së pagesës, ata janë larguar për në Shqipëri.
Lajmi është publikuar nga e përditshmja malazeze Vjesti, ditën kur kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç po viziton Tiranën, referon Koha. (b.an)