Komisioni Parlamentar hetimor për zbardhjen e ligjshmërisë së emërimeve në administratën publike dhe Entet Shtetërore në mbledhjen e radhës ka bërë të ditur se nga verifikimi i listës me 130 emra të dyshuar, vetëm 18 prej tyre kanë rezultuar me probleme.
Por sipas hetimit të Komisionit nga informacionet e Policisë, nga 21 punonjës vetëm 6 prej tyre kanë pasur probleme me Drejtësinë. Genci Vogli, sipas të dhënave të Policisë, është dënuar nga Gjykata me 4 muaj e 20 ditë, aktualisht ai është punonjës i Policisë në Fier.
Ai është dënuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe sipas Policisë, vepra e tij është parashkruar. Ndërkohë që Gurian Lekzeqiri është arrestuar në vitin 2015. Ai është oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin numër 2 Tiranë. Alfred Nomani, i cili aktualisht është në Drejtorinë e Policisë Korçë, është arrestuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), por më pas është liruar nga Prokuroria.
Po ashtu listës së funksionarëve të Policisë, të cilët janë dënuar nga Gjykata, figuron emri i Rexhep Bulkut. Ndaj Bulkut janë dhënë disa vendime gjykate. Aktualisht ai është funksionar në Drejtorinë e PME në Policinë e Durrësit.
Po ashtu me disa vendime gjykate, rezulton dhe Agim Lleshi, i cili është shef Njësie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranës. Edhe Nikollaq Dumi është në listën e 6 efektivëve, ndaj të cilëve janë dhënë dënime nga Gjykata. Ai është pjesë e Komisariatit Fier.
ADMINISTRATA
Nga lista e 130 të dyshuarve që Partia Demokratike dërgoi për verifikim në Ministrinë e Brendshme dhe në Departamentin e Administratës Publike, sipas verifikimeve paraprake rezultojnë 12 emra, të cilët janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen tre muajt e fundit, kur filloi të veprojë Ligji i Dekriminalizimit.
Nga këta zyrtarë të emëruar në administratën publike dhe Entet Shtetërore, shtatë prej tyre figurojnë te lista e të dorëhequrve dhe të larguarve, kurse për 5 zyrtarë janë njoftuar institucionet e tyre për marrjen e masave ndaluese ndaj tyre.
Në listën e funksionarëve të dorëhequr bie në sy dhe emri i djalit të Shukri Xhelilit, ish-kryebashkiakut të Dibrës. Klodian Xhelili ka pasur postin e arkitektit në Qendrën Kulturore në Peshkopi, por ai ka paraqitur dorëheqjen më datë 10.05.2016.
Po ashtu sipas informacioneve të DAP, nga 7 funksionarë, vetëm dy prej tyre kanë dhënë dorëheqje vullnetarisht, ndërkohë që pjesa tjetër janë shkarkuar nga detyra.
Dje Komisioni hetimor ka miratuar listën me 6 ekspertë që do të shqyrtojnë dosjet e mbërritura nga Departamenti i Administratës Publike dhe nga Ministria e Brendshme për emërimet që janë kryer që nga viti 2013 e në vazhdim. (panorama)